Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit vendosi njëzëri të dielën, më 10 korrik, që të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviç.
Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviçi të premten, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.
Në një lidhje direkte me “Abc Live”, Muhamed Gjokaj, gazetar në Tuz u shpreh se tashmë qeveria e Malit të Zi është e lëkundur.
Në këtë situata të krijuar, sipas tij, tre janë skenaret e mundshme që mund të parashikohen. Opsioni i parë është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të bëhet një mocion mosbesimi, për të cilin Gjukanoviç nuk e ka shumicën për ta votuar.
Skenari i dytë është që Abazoviç të krijojë një mazhorancë tjetër me partitë pro-serbe ose opsioni i tretë është që zbuten tensionet se të ecet në këtë drejtim së bashku me Gjukanoviçin. Marrëveshja, sipas gazetarit, qëndron në tavolinë prej 12 vitesh, nuk është diçka e bërë rishtazi.
Me votimin e marrëveshjes, populli malazez ka dalë në protesta pasi në parathënie të saj vendoset kontinuiteti i Kishës Serbe duke diskriminuar kështu kishën malazeze. /abcnews.al/