Ku dallon Sali Berisha nga Lulzim Basha? Kjo ishte një nga pyetjet që të ftuarit në emisionin “Log.” në Abc me gazetarin Endri Xhafo diskutuan mbrëmjen e sotme.
Sekretarja e marrëdhënieve me publikun në PD, Jola Hysaj u shpreh se ajo që i dallon është “fjala e mbajtur.”
Për anëtarin e Këshillit të PD-së, Akil Kraja, shqiptarët janë në një situatë që kërkojnë zgjidhje dhe jo individin që do sjellë zgjidhjen. Ndërsa sekretari i forumit rinor të PD-së Grigels Muçollari theksoi se energjia e Berishës motivon të rinjtë.
Pjesë nga diskutimi:
Hysaj: Në të mbajturin e fjalës. Basha i tha shqiptarëve se do t’i mbështeste dhe do t’i çonte ata drejt fitores. Diferenca mes Bashës dhe Berishës është e ndryshme. Diferenca është dashamirësia që anëtarësia ka për këta dy lidera. Basha kishte mbështetjen e anëtarësisë, por i la në rrugë. Ajo që ndodhi në shtator ishte diçka personale, por revolta kishte ndodhur më herët. Berisha i dha liri Bashës pasi u tërhoq nga politika në 2013. Berisha është më i vërtetë së Basha dhe PD tani është duke mbështetur atë që është e vërtetë.
Kraja: Jemi në një situatë ku pacienti kërkon një mjek për ta kuruar në mënyrën më adekuate të mundshme dhe të ketë dhënë 2 prova që di të shërojë. Shqipëria po vdes në sensin fizik të gjësë. Unë besoj që hapja e PD-së, primaret, protesta e 7 korrikut, bashkëpunimi me shoqërinë civile, ka bërë realisht që sot PD të jetë më e fortë dhe më e bashkuar. 7 korriku e tregoi më së miri që shqiptarët kërkojnë alternativën, jo individin. Shqiptarët duan zgjidhje.
Muçollari: Nëse ka një njeri që sot shqiptarët e besojnë, që ka forcën dhe këmbënguljen për të larguar Edi Ramën, edhe ata që s’e duan, mendojnë se është Sali Berisha. Unë zgjedh të bëjmë opozitën e fortë, qoftë edhe në dorë të Sali Berishës. Ne sot flasim për një opozitë që do ketë përballje, që njerëzit kanë filluar të besojnë. Kjo ka rëndësi të veçantë. Kur e shoh Berishën sot më ngjan Edi Rama si 200 vjeç dhe Basha si 500 vjeç. E ndjejmë ne veten të lodhur. Berisha në atë moshë që ka është një shembull frymëzimi për ne të rinjtë. Unë po shoh një rikthim./Abcnews.al/