Partizani ia doli që të dalë me fitore nga përballja me Saburtalon, pasi demat fituan 1-0 në “Gori”, takim i vlefshëm për turin e parë të Conference League.
Një fitore shumë e rëndësishme për të besuarit e Dritan Mehmetit, të cilët tashmë janë një hap larg kalimit në turin tjetër, pasi më 14 korrik presin në Shqipëri kundërshtarin e tyre.
Për “Oversport” pas kësaj fitoreje ka folur edhe trajneri Mehmeti i cili theksoi se skuadra e tij duhet të menaxhonte më mirë presionin e minutave të fundit, pasi mund të rrezikonin të pësonin.
“Duhet të jemi me këmbë në tokë, asgjë s’ka përfunduar. Skuadra kundërshtare ka ritmin e lojës, ndërsa ne sapo filluam sezonin. Ndeshjen e vlerësuam mirë dhe mund të kishim dyfishuar rezultatin. Në fund vuajtëm pak, por këto gjëra duhet të rregullohen në ndeshjen e kthimit.
Qetësia transmetohet te lojtarët dhe u jep besim lojtarëve. Duhet të falënderoj çunat sepse të gjithë së bashku mund t’ia dalim. Skuka dhe Cara janë lojtarë pak individualistë (jo në kuptimin e keq), por duhet të rriten dhe të kuptojnë që të mbyllin ndeshjen.
Skuadra duhet të zotëronte topin, por ndoshta ndikuan edhe emocionet, sepse mund të menaxhonim më mirë minutat e fundit. Mund të dyfishonim ndeshjen, por lojtarët humbën besimin dhe u kthyen që të mbronin rezultatin. Duhet të zotëronim topin dhe të evitonim atë panik në minutat e fundit”, deklaruar timonieri i demave. /f.a/abcnews.al