Qeveria e Tsipras i mbijeton mocionit të votëbesimit

schedule17:30 - 11 Maj, 2019

schedule 17:30 - 11 Maj, 2019

Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras ka shpallur miratimin e masave të reja menjëherë pasi qeveria e tij i mbijetoi mocionit të votëbesimit në parlamentin e vendit. Një mocion i kërkuar nga kreu i ekzekutivit grek.

Qeveria e kryeministrit Aleksis Tsipras i ka mbijetuar mocionit të besimit që paraqiti opozita. Pas votimit, Tsipras tha se ditët e ardhshme parlamenti do të miratojë masat lehtësuese që komunikoi në fillim të javës.

Aleksis Tsipras jo thjesht i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit, por ka filluar dhe një votë më shumë nga ç’llogaritej para votimit. 152 votave të maxhorancës qeveritare i është shtuar dhe një deputet i Unionit të Qendrës, duke i çuar në 153 votat në favor të qeverisë. Në anën tjetër, mocioni i mosbesimit të paraqitur nga Demokracia e re, mori vetëm 136 vota.

Debati parlamentar që zgjati tri ditë, ishte një spektakël elektoral me tone tepër të larta. Kyriakos Mitsotakis, kreu i partisë më të madhe opozitare, demokracia e re, kërkoi që kryeministri Tsipras të shpallë zgjedhje të parakohshme kombëtare mbrëmjen e 26 majit.

Mitsotakis: “Mbrëmjen e 26 majit dhe përderisa SYRIZA do të humbasë-siç vlerësoj unë- nuk ju mbetet asnjë alternativë. Të shpallni zgjedhje kombëtare dhe t’i jepni shansin popullit që të marrë në duar fatet e veta”.

Por kryeministri preferoi mos t’i përgjigjet sfidës së opozitës.

Pas marrjes së votëbesimit, Tsipras tha se javën e ardhshme parlamenti do të votojë paketën e masave lehtësuese që u shpallën ditët e fundit. Tsipras tha se masat nuk u morën me qëllim që të joshin votat e qytetarëve për zgjedhjet e 26 majit.

“Është një strategji që synon mbështetjen e shumicës së popullsisë, me qëllim që ata qytetarë të cilët nuk e kanë ndjerë akoma përfundimin e krizës, të kenë në jetën e tyre të përditshme frymëmarrje, lehtësi dhe perspektivë”, deklaroi kryeministri grek./ABC News Albania 24/7