Komisioni shtetëror zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, shpalli zyrtarisht fitues të zgjedhjeve të gjashta presidenciale, kandidatin e koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski. Me fjalimin tradicional në Kuvend, Pendarovski nesër fillon mandatin e tij pesëvjeçar.
Me 435.656 vota, KSHZ-ja edhe zyrtarisht ka konfirmuar fitoren e Stevo Pendarovskit në Zgjedhjet Presidenciale që u mbajtën më 21 Prill dhe 5 Maj në Maqedoninë e Veriut. Me disa paqartësi dhe debate nëse është respektuar Ligji i Gjuhëve dhe nëse certifikata që iu nda Pendarovskit nga ana e KSHZ-së është në dy gjuhë, filloi seanca. Anëtari i KSHZ-së Enver Saliu këtë pyetje ia drejtojë Kryetarit të këtij Komisioni Oliver Derkovski.
Enver Sali anëtar i KSHZ: “Të tregoni nëse Çertifikata do të jetë në dy gjuhë, ose vetëm në maqedonishte”.
Oliver Derkovski kryetar i KSHZ: “Certifikata e Presidentit do të jetë konform dispozitave positive ligjore”.
Presidenti i sapozgjedhur Stevo Pendarovski theksoi se ndjehet i kënaqur që të gjithë pjesëmarrësit në garën presidenciale kanë pranuar rezultatet zgjedhore dhe kjo, sipas tij, tregon pjekurinë e vendit. Të punësuarit në kabinetin presidencial nuk do ti nënshtrohen revanshizmit politik, kurse ai që ka gabuar para ligjit do të përgjigjet- tha Pendarovski duke shtuar se në konsultim me ekipin e tij juridik në afat sa më të shkurtër do t`i nënshkruajë ligjet, të cilat presidenti I deritashëm Ivanov kishte refuzuar ti dekretojë.
Stevo Pendarovski: “Në afat sa më të shkurtër, gjatë javës së ardhshme, që nga e hëna, do ta bëjë ekipimin e ekipit tim juridik, ngase nuk dua të nënshkruaj ligje që nuk i dijë. Supozoj se do të dekretohen qysh në ditët e para të hyrjes sime në kabinetin presidencial”.
Konform ingerencave presidenciale, Pendarovski ka theksuar se plotësisht do t`i përkushtohet reformimit të shërbimeve të intelegjencës, ku , sic tha, në të kaluarën, pikërisht këto shërbime kanë qenë arsye për kriza të thella politike në Maqedoni.
Stevo Pendarovski: “Kam për qëllim të jem pjesëmarrës në reformat e thella të shërbimeve të sigurisë, për shkak se segmente të rëndësishme të këtyre shërbimeve ende nuk janë të reformuara”.
Presidenti i porsazgjedhur Stevo Pendarovski nesër në mesditë në Kuvend, do ta bëjë betimin solemn, kurse më pas do të drejtohet në vilën presidenciale ku do të pritet nga presidenti i deritashëm Gjorge Ivanov. Në inaugurimin e Presidentit të ri do të marrin pjesë presidentë e zyrtarë të lartë të më shumë shteteve, në mesin e të cilëve edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç./ABC News Albania 24/7