Bordi i Tranparencës rriti një ditë më parë çmimin e hidrokarbureve me 9 lekë për litër, ku nafta po shitet aktualisht me 252 lekë për litër, nga 243 lekë që ishte, ndërsa benzina po shitet me 241 lekë litri, kurse gazi me 81 lekë.
Ndërkohë që duhet theksuar se Bordi i Transparencës, gjithnjë pas njoftimit për ndryshimin e çmimeve vendos edhe një shënim të veçantë ku shkruan: “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”.
Por mesa duket këtu vlen të përdoret ajo shprehja: “Tjetër themi e tjetër bëjmë”, pasi nafta në bursë ka rënë, ndërkohë në Shqipëri çmimi i naftës është rritur me 9 lekë.
Sot në bursë prej orës 18:40 të mbrëmjes, çmimi i një fuçie naftë ka shkuar 96.03 dollarë, çmim i cili është më i lirë se ai që shitej para luftës në Ukrainë, ndërkohë që në Shqipëri 1 litër naftë shitej afërsisht me 200 lekë litri.
Jo më larg se një muaj më parë, pikërisht në 17 qershor kur nafta në bursë tregohej me 116.81 dollarë, çmimi i naftës në Shqipëri ishte 265 lekë litri, që i bie të jetë shitur 13 lekë më shumë se çmimi aktual.
Ndërsa në bursë çmimi i naftës është duke rënë në Shqipëri vijon dhe ngrihet. Kujtojmë që 96 dollarë fuçia e naftës në bursë ka qenë në datë 23 Shkurt, një ditë para nisjes së luftës në Ukrainë, pikërisht kur në Shqipëri ishte me 200 lekë litri i naftës.
Mesa duket ngritja e Bordit të transparencës nuk po reflekton çmimet e bursës, dhe pyetja që me të drejtë çdokush mund të ngrejë, është se kur Bordi thotë: “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, kujt burse i referohet?
/T.H/Abcnews.al/