Një sipërfaqe e konsiderueshme toke është shkrumbuar pas aktivizimit të një vatre zjarri në Troshan. Mësohet se për dy orë janë djegur rreth 60 hektarë tokë dhe rreth 1700 rrënjë ulliri dhe pemë frutore.
Preç Ndoj, një banor i Troshanit ka treguar për ABC se dëmet janë të mëdha ndërsa zjarri është vënë nën kontroll nga vetë ata. Ndërhyrja e parë ka qenë nga vetë banorët me mjete rrethanore, ndërsa zjarrfikësja si duket ishte e angazhuar në një vatër tjetër zjarri në Zejmeni.
“Zjarri ka nisur rreth orës 13.30 nga poshtë në një parcelë dhe nga era e fortë u përhap menjëherë. U deshën dy orë që të digjeshin mbi 60 ha sipërfaqe. Janë djeg mbi 1700 bimë, pemë frutore. Pra, të gjitha produktet që fshatarët kanë mbjellë dhe kultivojnë këtu. Ndihma ishte e menjëhershme e fshatarëve. Ishte koha e pushimit, dy vetë kemi ardhur të parët këtu. I falënderoj të gjithë troshanësit që u çuan menjëherë dhe u përgjigjën me kallama, me mjete rrethanore, kova arritën ta vënë nën kontroll. Zjarrfikësit ishin në Zejmen, erdhën pas dy orësh, po zjarrin nën kontroll e vunë fshatarët. Dëmi është i madh.”
Kurse në fshatin Zejmen deri më tani janë djegur 10 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe vreshtari. Aktualisht dy zjarrfikës po punojnë për shuarjen e flakëve. /abcnews.al/