Presidenti i Republikës, Ilir Meta, reagoi në rrjetet sociale pas lajmit të ndarjes nga jeta të Major Klodian Tanushi. Ai shprehu ngushëllimet e tij familjes së Tanushit.
“I tronditur nga lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të Komandantit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO në Letoni, major Klodian Tanushi. Në këto momente shumë të vështira për familjen Tanushi, me zemër jam pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta!
U prehsh në paqen e përjetshme heroi ynë”, shkruan Meta.
Major Klodian Tanushi ndërroi jetë disa ditë pasi u plagos rëndë gjatë një misioni të NATO-s në Letoni. Në ngjarjen e datës 6 Maj humbi jetën Nëntetarja Zarife Hasanaj, dhe u plagos lehtë Rreshteri Julian Kapaj.
Fatkeqësisht, Tanushi nuk mundi t’i mbijetojë plaëve të marra gjatë shpërthimit të disa municioneve të paplasura, duke u bërë kështu ushtaraku i dytë që humbi jetën në Letoni./abcnews.al