Temperaturat e larta janë të papërballueshme për të gjithë, sidomos për moshat e thyera. Por vapa e madhe është tepër e rrezikshme sidomos për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Prandaj, është e nevojshme që të tregohet kujdes i shtuar për të shmangur pasojat negative.
Dr. Leonidha Pepo, kardiolog në Cambridge Clinical Laboratories ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku ndau disa këshilla se si ta përballoni sa më lehtë vapën. Mjeku rekomandoi marrjen e sa më shumë lëngjeve dhe shmangien e orëve të pikut.
“Për shkak të temperaturave të larta, duke pasur djersë, duke hapur damarët, bie tensioni, humbin elektrolitet dhe ata që vuajnë nga veshkat iu rritet azotemia. Prandaj këta persona duhet të marrin lëngje por me pak shije. Jo vetëm ujë. Duhet të merrni deri në një litër e gjysmë.
Duhet të marrim dhe elektrolitë, të cilat i duhen njerëzve për të zëvendësuar kripërat që humbin nëpërmjet djersës. Dieta duhet të jetë sa më e lehtë, të mbizotërojnë zarzavatet dhe lëngjet ndërsa mishi me racion. Mishi i kuq influencon keq për sëmundjet e arterieve koronare.
Mishi i kuq i mbyll damarët, prandaj rekomandohet mishi i pulës dhe peshku.”, tha mjeku. Përveç regjimit ushqimor të shëndetshëm, kardiologu rekomandoi dhe aktivitetin fizik. Sa i përket personave që kanë bërë ndërhyrje në zemër, nuk duhet të bëjnë sforcime dhe të hidratohen mirë. /abcnews.al