A do të jetë LSI në protestën e Berishës? Kryemadhi: Kushdo që beson se Shqipëria po vidhet nga hajduti i gjatë, të jetë prezent

schedule10:36 - 4 Korrik, 2022

schedule 10:36 - 4 Korrik, 2022

Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jenë të pranishëm në protestën e 7 korrikut të thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Këtë la të nënkuptohet, kryetarja e kësaj partie në një bashkëbisedim me gazetarët.

Ndërsa bëri të ditur se LSI është e ftuar, Monika Kryemadhi tha se kushdo që beson se vendi po vidhet nga kryeministri Edi Rama, të cilit iu referua si hajduti i gjatë i Tiranës, ka arsye për të protestuar më 7 korrik.

“LSI është e ftuar  për të marrë pjesë në protestë më 7 korrik. Ne kemi marrë pjesë në çdo protestë, edhe të shoqërisë civilë. Është një protestë që kush beson që shqiptarët vidhen nga hajduti i gjatë i Tiranës, ka një arsye për të protestuar më 7 korrik. Por edhe ata që janë të pakënaqur me klasën politike. Ne mbyllëm sytë përballë instalimit të autokracisë së Ramës. Të përdorësh një skemë të tillë të evazionit fiskal…ky është grup i strukturuar kriminal. Shkatërrimi i kompanive të ndërtimit…”

Kujtojmë se Sali Berisha i ka vendosur të gjithë deputetët e grupit parlamentar demokrat në pozitat e organizatorit të protestës së 7 korrikut, kur në një vendim kryesie i përfshiu në grupet e punës në të 12 qarqe të vendit.

Megjithatë, ka deputetë demokratë që e kanë bërë të ditur që nuk do të jenë prezentë. Enkelejd Alibeaj për shembull u ka kujtuar qytetarëve se 7 korriku nuk është një protestë për problemet e tyre, por për “probleme personale.” I pranishëm në protestë nuk do të jetë as Gazment Bardhi. Kurse aleatët e PD kanë bërë të ditur se do të protestojnë sepse situata e krijuar nga rritja e çmimeve e kërkon reagimin. /abcnews.al/