Nis puna e komisionit për “Territorialen”, Çupi: Reforma e vitit 2014 jo efikase. Dhimitri: Janë rritur të ardhurat e bashkive

schedule10:11 - 4 Korrik, 2022

schedule 10:11 - 4 Korrik, 2022

Komisioni i Reformës Territoriale  ka nisur punën  ditën e sotme dhe ka zhvilluar një seancë dëgjimore me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Deputetja e Partisë Demokratike, bashkë-kryetare për Reformën Territoriale, Dhurata Çupi  tha se reforma e vitit 2014 ishte joefikase.

Çupi: Fakti që në  i kthehemi reformës territoriale, është pikërisht fakti se ajo reformë e realizuar në 2014, ishte jo efikase. Me këtë pyetje duhet ta nisim punën në këtë komision, cilat janë problematikat, pse ka dështuar reforma, pse nuk u arrit ajo që pritej? Cilat janë anët e mira të reformës që mund të ruhen nga reforma e kaluar.

Albana Dhimitri, Drejtore Ekzekutive në Institutin e Politikave Publike dhe Private tha se Reforma e vitit 2014 uli pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Dhimitri: Ne kemi pasur mundësi të jemi thuajse në çdo bashki. Kemi pasur një eksperiencë të rëndësishme për të prekur reformën në pikëpamjet politike, qoftë dhe administrative. Efikasiteti administratës publike, ishin 370 njësi të qeverisjes vendore para 2014. Kemi bërë një studim mbi të ardhurat për kokë nga ndryshimi i hartës territoriale dhe na rezulton që të ardhurat janë shumë më të larta në nivel bashkie se përpara reformës. Sa i takon shërbimeve, ka tregues në rritje. Shpenzimet për investimet janë të rritura me disa fish krahasuar me përpara reformës. Ana negative ishte ulja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, pra kishte pjesë të popullatës që për shkak të largësisë me njësinë administrative bashkisë, nuk kishin mundësi fizike për të qenë pjesëmarrës në mbledhjet e zhvilluara apo elementëve të tjerë të përditshmërisë. Ndjesia e të zgjedhurit direkte pra, është ndjesi e humbur. Debati mund të jetë nëse përpara 2014 ishte apo jo efikase zgjedhja direkte, jo! Por të paktën perceptimi se po zgjidheshe, ishte në ndjesinë e komunitetit dhe të zgjedhurit. Barra fiskale e njësive administrative mbetet tek pushteti qendror, duke ulur nivelin e përgjegjësisë fiskale të qeverisjes lokale./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!