Manastirliu: Burg deri në 5 vite për këdo që dhunon mjekët

schedule15:45 - 9 Maj, 2019

schedule 15:45 - 9 Maj, 2019

Tolerancë zero ndaj korrupsionin të bluzave të bardha. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bën këtë deklaratë para mjekëve ndërsa sjell në vëmendje denoncimin e emisionit “Stop” ne televizionin Klan ku një mjek i shërbimit onkologjik ne QSUT merrte para nga e afërmja e një pacienti për të hyrë pa radhë për radioterapi. Gjithashtu ministrja prezantoi dhe ndryshimet në Kodin Penal për dhunën ndaj bluzave të bardha.

Dënim i rende pret këdo që dhunon një mjek.

“Në Kod, do të parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj profesionistëve të shëndetit është e dënueshme nga 1 deri në 5 vite lirie.”

Ndryshimet ne Kodin Penal ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu i prezantoi në një takim me mjeke dhe profesionistë të shëndetësisë. Kodi do të parashikojë gjithashtu ndarje të gabimit mjekësor nga neglizhenca në mjekim kërkesë e kahershme e bluzave të bardha.

“Me këto ndryshime është hequr si vepër penale gabimi mjekësor, por neglizhenca në mjekim dënohet në mënyrë të përshkallëzuar, në varësi të shkallës së dëmtimit të pacientit”.

Dispozita aktuale “mjekim i pakujdesshëm” penalizon mjekun ose personelin mjekësor edhe për gabimin mjekësor. Dënimi shkon deri në pesë vite heqje lirie.

Në bashkëbisedimin me mjeket ministrja e Shëndetësisë foli dhe për korrupsionin tek bluzat e bardha  dhe iu rikthye rastit te denoncuar ne emisionin “Stop” ne Televizionin Klan ku mjeku i shërbimit onkologjik në QSUT merr para nga e afërmja e një pacienti për të hyrë pa radhë për radioterapi në këtë pavion.

“Ngjarja që ka ndodhur dy ditë më parë në një nga shërbimet ku është investuar më shumë në fakt, në Radioterapinë e shërbimit Onkologjik, është e turpshme dhe e dënueshme. Sikundër reaguam menjëherë me shkarkimin nga puna, nuk do të hezitojmë në asgjë moment për të ndëshkuar këdo që kushtëzon shërbimin falas në institucionet publike me pagesa të paligjshme. Nuk do të ketë tolerancë”.

Ministrja e Shëndetësisë nxiti qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie nëpër spitale./ABC News Albania 24/7