Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mbahet i Brdo-Brijunit, takimi konfirmon aspiratën e integrimit

schedule12:11 - 9 Maj, 2019

schedule 12:11 - 9 Maj, 2019

Tetë presidentë të rajonit u mblodhën në Tiranë në një samit në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit. Vëmendjen e mori stabiliteti në rajon dhe dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa vendet aspirante shpresojnë ende integrimin në BE.

“I zhvilluar në Tiranë për herë të parë nga inicimi në vitin 2010 si nismë e përbashkët e presidentes së Kroacisë Kitaroviç dhe atij të Sllovenisë Pahor, samiti i Brdo-Brijunit bëri bashkë përfaqësues të rajonit në rang presidentësh, si dhe dy të ftuar nderi, presidentin e Polonisë dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini”.

“Kjo e fundit u largua pak minuta pas nisjes së takimit plenar, i cili gjati rreth tre orë dhe u kurorëzua me miratimin e një dokumenti me konkluzionet e këtij takimi”.



Samiti, që ka për qëllim dialogun dhe bashkëpunimin rajonal si dhe konfirmimin në axhendën e BE-së të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor ishte forum i radhës që pa një shtrëngim duarsh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ne jemi presidentë të vendeve përkatës. Duhet të sillemi në respekt të etikës së komunikimit, jemi përshëndetur siç është përshëndetur secili me secilin. Gjithashtu kemi pasur ballafaqim edhe për zhvillimet që kemi në rajonin tonë dhe raportet e ndërsjellta. Shpresoj se do të arrihet një marrëveshje brenda vitit. Tarifa ka qenë vendim i drejtë dhe legjitim, duhet një dialog i pakushtëzuar me mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje të plotë që përfshin Medvegjën, Bujanovcin në kufijtë e Kosovës, pa cenuar asnjë centimetër të Republikës së Kosovës. Sa i përket presidentit Dodik, unë çuditem si ka qenë këtu, e ka vizitën e parë por mbetet në përgjegjësinë e autoriteteve ftuese”, tha Thaçi.

Përgjigja për deklaratën e dhënë në dalje të takimit plenar, i erdhi në konferencën e përbashkët të presidentit Meta me atë të Kroacisë, Sllovenisë, por edhe Polonisë.

“Theksuam nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal duke u fokusuar përmes zgjidhjes së çështjeve të mbetura pezull. Pozitiv është angazhimi i përbashkët për zgjidhje përmes dialogut. Samiti i Bordo-Brijunit është një samit me format të përcaktuar të vendeve anëtare dhe padyshim Dodik ka qenë i ftuar,  i mirëseardhur si presidenti i radhës i Bosnje Hercegovinës. Është me rëndësi që konkluzionet e këtij samiti të dëgjohen edhe më shumë nga vendet anëtare të BE”, u shpreh Meta.

Konkluzionet e miratuara nga vendet pjesëmarrëse njohin se përparimi i deritanishëm ka ndikuar në konsolidimin e demokracisë dhe stabilitetit në rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Duke njohur debatet e brendshme intensive në gjirin e BE-së, në kontekstin e Brexit dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare europiane, konkluzionet mirëpresin përkushtimin e unionit ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor edhe përmes formateve si ky.

Vendet angazhohen në përpjekje aktive për vijimin e dialogut dhe rritjes së besimit Brenda rajonit. Në fund dokumenti i bën thirrje Bashkimit Europian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor  si çështje me rëndësi gjeopolitike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!