Maturantët mbyllin gjimnazin pa zhvilluar mendimin kritik, Aliaj nga QSHA: Humbasin pikë te eseja e pyetjet e hapura

schedule15:55 - 30 Qershor, 2022

schedule 15:55 - 30 Qershor, 2022

Nga Ajgena Korbi

Gjimnazistët në vendin tonë vijojnë të mbyllin shkollën e mesme pa arritur të zhvillojnë mendimin kritik. Më shumë se të analizojnë konceptet ata gjatë viteve të gjimnazit perqëndrohen tek  mësimi përmendësh.

Këtë maturantët e  kanë shfaqur dhe në provimin e  gjuhës shqipe dhe letërsisë. Drejtori i Drejtorisë së Vlerësimit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, Agim Aliaj tregon se eseja dhe pyetjet e hapura ishin ato që penalizuan më tepër të rinjtë.

“Pjesa më e madhe e maturantëve humbasin pikë në pyetjet e hapura dhe shkrimin e esesë. Kjo lidhet me zhvillimin e kompetencës së të shkruari dhe të menduarit kritik. Unë do ta lidhja me të kuptuarit e kurrikulës. Kurrikula  nuk duhet kuptuar si listë lëndësh, por në koncept, se sa fitojnë njohuri për tu përfshirë në jetën shoqërore.”

Më mirë maturantët këtë vit kanë dalë në gjuhë të huaj dhe lëndën me zgjedhje se në ato bazë,  gjuhë shqipe – letërsi  dhe matematikë. Më shumë  zgjodhën të testohen në lëndët shoqërore me në krye qytetari- psikologji dhe më pak në ato shkencore ku e para renditet biologjia.

Këtë vit në provimet e maturës sipas drejtorit të Drejtorisë së Vlerësimit ka një rritje të lehtë  si në pikët mesatare ashtu dhe në notë në krahasim me vjet. Rezultatet përtej pritshmërive u  theksuan dhe nga ministrja e Arsimit pak ditë më parë, por kujt i atribuohen ato?

“Viti i fundit u zhvillua në kushte normale  krahasuar me maturantët e një viti më parë që përjetuan jo vetëm ndikimin e tërmetit, por dhe pandemisë. Shkollat kanë punuar më fuqishëm në konsultime. Ne para provimeve publikuam teste model ndihmëse.”

Pas publikimit të rezultateve, specialistët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore kanë nisur analizën krahasimore të notave të  provimeve me ato vjetore dhe mes Qarqeve.  Raporti pritet të nxjerrë në pah arritjet dhe problemet e maturës shtetërore të këtij viti. /abcnews.al/