Dy nën drejtorët e rendit në Elbasan Albert Nushi dhe Nikollaq Palla janë vënë në arrest shtëpie dhe 6 efektivë të tjerë janë pezulluar nga detyrat për vrasjen e Pjerin Xhuvani në Elbasan. Kur ka kaluar më shumë se një vit nga kjo ngjarje, gazetari Artan Hoxha i ftuar në ABC Live, thotë se brenda 21 korrikut pritet që çështja të shkojë për gjykim.
Ndërsa risolli edhe një herë në kujtesë se çfarë ndodhi më 21 prill të vitit që shkoi, katër ditë para zgjedhjeve, Hoxha thotë se një kamera sigurie e vendosur larg nga vendi i ngjarjes ka filmuar të gjithë skenën.
Kamera ka qenë larg, por cilësia e imazhit sipas tij është shumë e lartë dhe çdo gjë duket qartë. Pamjet, sipas gazetarit, i disponon prokuroria dhe janë përdorur për rindërtimin e skenës.
Sa i përket efektivëve dhe nëndrejtorëve, Hoxha thotë se ata janë sot në procedim penal sepse janë përgjegjës për atë që ka ndodhur.
Vetë Hoxha i ka parë pamjet e filmuara dhe thotë se të parët që qëlluan ishin anëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës të PD-së.
“Policia ishte më e pakët në numër, edhe se ata që ishin edhe se ata që erdhën. Këta që erdhën ishin të njohur në qytet, s’i prekte dot. Ata nuk patën kurajo të vepronin. Kurse opozita pati përgjegjësinë e zmadhimit të ngjarjeve.”
Në automjetin e Mehmet Grecës, sipas gazetarit, nuk kishte as para dhe as karta identiteti. Në automjet ai kishte pasur vetëm fotokopje kartash identiteti dhe vetëm disa para xhepi.
“Shkoi në Elbasan SMV, atë mëngjes. Në Elbasan Arena një ditë më parë u bë një takim i madh, që krijoi përshtypjen se mazhoranca kishte epërsi të madhe në Elbasan. Opozita donte të tregonte forcën…Nuk shkuan kot, por ai u doli që s’kishte gjë. Nuk do t’i shpërndante në mëngjes paradite lekët.”
Artan Hoxha tregoi po ashtu se asnjë nga palët nuk ka bashkëpunuar me policinë. Sipas tij, dëshmitarët kanë frikë kurse të përfshirët kanë bërë një pakt “të vdekurit ikën, të shpëtojmë të gjallët.” /abcnews.al/