Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar në lidhje me rastin e 50-vjeçarit në Rrogozhinë që u pickua të dielën nga merimanga e zezë.
QSUT sqaron se pacienti Hasbi.K, me diagnozë “Pickimi nga merimanga e zezë”, është paraqitur ne Shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme të dielën në orën 21:20.
Sipas sqarimit, pasi ka kryer konsultë me mjekun toksikolog, ai është shtruar në Shërbimin e Toksikologjisë dhe iu nënshtrua ekzaminimeve laboratorike dhe testeve të nevojshme, sipas protokollit.
Sa i përket kundërhelmit, QSUT thotë se farmacia e tyre e disponon antidotin antivenine lactrodectus tredecimgutates dhe “përdorimi i tij përcaktohet nga mjekët, pasi ka kritere rigoroze, për shkak të riskut shumë të lartë të reaksionit deri në shock anafilaktik.” Po ashtu, bëhet e ditur se pacienti është në gjendje të stabilizuar nën mbikqyrje mjekësore dhe vazhdon mjekimin sipas protokollit mjekësor.
Kujtojmë se ABC raportoi të dielën se Hasbi.K ka qenë në banesën e tij në qendër të Rrogozhinës, kur është pickuar nga insekti helmues. Fillimisht ai ka marrë ndihmë në spitalin e Rrogozhinës më pas është nisur me urgjencë drejt QSUT.
Burime për ABC bënë të ditur të dielën se u desh ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë për të gjetur kundërhelmin ndaj merimangës së zezë të cilët kanë kontaktuar me disa vende nga rajoni. /abcnews.al/