Bordi i Transparencës rrit me 10 lekë çmimin e sheqerit: Do të shitet me 114 lekë/kg

schedule12:00 - 27 Qershor, 2022

schedule 12:00 - 27 Qershor, 2022

Çmimi i një kg sheqer është rritur me 10 lekë. Ky është vendimi i ri i Bordit të Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë.

Thënë ndryshe, duke nisur nga dita e sotme qytetarët do ta blejnë 1kg sheqer me 114 lekë/kg.

Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.

Vendimi: 

Vendim i Bordit të Transparencës të Monitorimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, datë 27.06.2022

Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”,

VENDOSI
1- Miratimin e marzheve që do të aplikohen për produktin ushqimor bazë sheqer, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

2- Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
a. Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.

b. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.

c. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.

3- Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktin e përcaktuara në këtë vendim.

4- Në pasqyrën nr. 1 më poshtë jepen të dhënat në lidhje me përllogaritjet e çmimit tavan të tregtimit sipas marzheve të përcaktuara në pikën 2 të këtij vendimi.

5- Ky vendim hyn në fuqi në datë 27.06.2022 dhe i shtrin efektet deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!