LIVE/ Samiti i BE, Rama: Bullgaria ka marrë peng Shqipërinë dhe Maqedoninë. Varhelyi: Të hiqet veto

schedule15:00 - 23 Qershor, 2022

schedule 15:00 - 23 Qershor, 2022

Takimi i nivelit të lartë mes krerëve të qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare me krerët e Ballkanit Perëndimor që presin anëtarësimin përfundoi të enjten në Bruksel, pa rezultate konkrete.

Siç u kuptua që të mërkurën, pas rrëzimit të qeverisë bullgare një ditë më parë, bllokada e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ende vazhdon, siç bëri të ditur një diplomat në Bruksel pas katër orë bisedimesh.

Madje të enjten edhe konferenca e planifikuar për shtyp e presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen u anulua për shkaqe kohore.

Pas përfundimeve të punimeve të samiti të BE, Kryeministri Edi rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç deh kryeministri maqedonas Dimitar Kovacevski kanë dalë në një konferencë për shtyp.

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp pas samitit u shpreh se Bashkimi Europian nuk e mbajti fjalën dhe Bullgaria mbajti peng dy vende të NATO-s.

“Ne do të vazhdojmë me shpresë që në shekullin e ri të jemi eruopian, duke mos u përballur me një Bullgari këtu, apo një Bullgari të tretë. Ata ndryshuan edhe emrin, ndërkohë që Shqipëria është prej tetë vitesh, e mu desht të fitoja një mandat të tretë që të fitoja votebsimin. Arsyeja nuk është vetëm Bullgaria. Bullgaria është vetëm fatkeqësia, është fryma e deformuar e zgjerimit. Është fryma më e dukshme e saj, ka kaluar nga vizioni i përbashkët, nga marrja peng e shteteve individuale”

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut u shpreh se kohë është goditje serioze për BE-në.

“Agresioni rus në rajon është një risk. Ka mëse 20 vjet që Maqedonia e Veriut është vende me statusin e vendit kandidat. Është një problem serioz dhe një goditje serioze e BE. Rajoni nuk mund të jetë i ndezur. Në nuk mund të lejojmë që një problem dypalësh të shndërrohet në shumëpalësh. Është koha që BE të përmbushë detyrimet e veta përpara se kërkojë gjëra të tjera.”

Më herët, para nisjes së samitit, kryeministri Edi Rama duke folur mediat ishte tej i ashpër ndaj qëndrimit refuzues të Bullgarisë, duke deklaruar se është shtet rrëmujë dhe se një vend i NATO-s po mban peng dy vende të tjera anëtare të NATO-s.

“Nëse do të zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s ndaj dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë në atë romanin e famshëm të Arçibald Kroninit.
15:01 – Rama: Fitova mandatin e tretë dhe BE ende nuk i ka hapur negociatat

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në konferencën e përbashkët me presidentin serb dhe liderin e Maqedonisë së Veriut në samitin e BE në Bruksel.

Rama: Do ta vlerësonim nëse ky komunitet i Europës ngrihet për të qenë bashkë në një shtëpi të përbashkët, pavarësisht se në kate të ndyrshme, po në dhomën e ndenjes qëndrojmë së bashku.

Tema kryesore ishte Maqedonia e Veriut. Ishte Maqedonia njëherë e një kohë dhe 17 vite më vonë është ende në pritje si kandidate për çeljen e negociatave, ndryshoi edhe emrin por nuk bëri dallim. Imagjino të ndryshojë Franaca apo Italia emrin. M’u ndesh të fitoja një mandat të tretë që të vazhdoja të prisja për çeljn e bisedimeve dhe ishte shumë e rëndësishme të thoja të vërtetën që arsyeja nuk është thjesht Bullgaria. Por është fryma e deformuar e zgjerimit dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj, pra fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti te marrja peng nga një shtet.

14:58 – “Do vazhdojmë rrugën drejt BE”, Rama nuk kursen ironitë: Shpresojmë që shekullin tjetër të bëhemi pjesë

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me liderin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe atë serb Aleksandër Vuçiç, në Bruksel u shpreh se ndihet keq që ndodhet në Evropë si mik dhe jo si pjesë e familjes evropiane. Megjithatë, nuk kanë munguar as notat e humorit nga ana e kryeministrit. Ai u shpreh se rruga drejt integrimit do të vazhdojë dhe shpreson që shekullin tjetër vendi ynë të jetë pjesë e BE.

Rama: Jemi evropian dhe duam të gjendemi mes evropianëve. Ndihesh keq sepse ne ende nuk mund të jemi këtu si evropianë, por si miq në një shtëpi të ndarë. Është shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemik në shkallë globale, një shumë tragjik dhe as një luftë kaq kërcënuese që mund të shndërrohet në një luftë tragjike globale nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë. Ne kemi shumë për të bërë dhe nga njëra anë unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëjmë shumë për të mbështetur idenë e presidentin Macron për objektivin që është politik e strategjik i dëshiruar. Ne do të vazhdojmë me rrugën drejt anëtarësimit me shpresën që shekullin tjetër të jemi anëtar. Do përballemi me një Bullgari këtu, një Bullgari atje.

Kryeministri Rama theksoi se Be sërish nuk e mbajti fjalën për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

14:55 – Konferenca në Bruksel, Rama: Më vjen keq për BE-në, nuk e mbajtën fjalën

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp në Bruksel pas Samitit të Be-së që zhvillua ditën e sotme, kryeministri Edi Rama u shpreh i pakënaqur nga liderët e BE-së.
Rama tha se BE-ja nuk e mbajti fjalën për rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për në BE.

“Keqardhje e thellë për BE. Më vjen keq për ta. Shpresoj që mund ti ndihmojmë.  U përpoqa që të them disa gjëra në takim. Do ti ndaj me ju. Michele na tha se kishim 3 minuta unë i thashë mund të jenë dhe 30 sekonda nëse ata do të mbanin fjalën. .I thashë se ndihesha mirë dhe keq se isha me ata. Mirë se jemi europianë, por keq se ne nuk mund të jemi këtu si evropianë por si miq në një shtëpi të ndarë. Dhe është diçka vërtet shqetësuese“, tha Rama.

14:52 – “Po humbni besimin”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut: BE duhet të mbajë premtimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke mbajtur fjalën e tij në Bruksel në kuadër të Samitit të BE, ka theksuar se BE duhet të përmbushë premtimet e tyre para se të bëjë kërkesa të reja.

Më tej ai ka theksuar se duke ngecur në këtë situata Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Europian do të humbasë besimin tek qytetarët.

“Duke pasur rrethanat që jemi sot shprehëm pakënaqësinë për hapjen e negociatave. Maqedonia është kandidate dhe në 2020 mori vendim për nisjen pa kushte të negociatave por jemi sot këtu edhe ende nuk kanë filluar është një problem serioz dhe goditje e besueshmërinë ndaj BE. Maqedonia dhe Shqipëria nuk mund të jetë i ngecur në një situatë të tillë. Nuk duhet të lejojmë çështjet dypalëshe të bëhen shumëpalëshe. Ne jemi vend i angazhuar për zgjedhje të ndërsjella. Me të njëjtën ide kemi hyrë në negociata edhe me Bullgarinë.” tha Kovaçevski.

14:39 – Zbulohet arsyeja, pse u anulua konferenca për shtyp BE-Ballkani Perëndimor

Konferenca për shtyp e liderëve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, e planifikuar për në orën 11.30, u anulua pasi samiti zgjati dy orë më shumë se sa pritej.

Diskutimi mes liderëve ka qenë “i sinqertë”, raportojnë burime të BE-së, që do të thotë në gjuhën diplomatike se edhe ata kanë thënë gjëra “shumë të vështira”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, megjithatë pritej në parasamitin e PPE. Në vend të kësaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandr Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, duhet të japin një konferencë për shtyp pak më vonë.

14:23- VIDEO/ Rama “shkrin” së qeshuri Michel dhe Von der Leyen pas Samitit

Ka përfunduar samiti i liderëve të BE-së në Ballkan.

Pas përfundimit të Samiti, liderët u rreshtuan për të bërë foton zyrtare.

Ajo që vihet re është kryeministri Rama, i cili është duke ecur me Presidentin e Këshillit Evropian,Charles Michel, dhe Presidenten e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen.

Nuk dihet se për çfarë po flet kryeministri, por në video shihet se Michel dhe von der Leyn qeshin me të madhe.

Pas tij shihet duke ecur presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Dimitar Kovaçevski.

Ndërsa lideri serb Aleksandër Vuçiç është në krah të kryeministrit bullgar, Kiril Petkov.

Pas përfundimit të Samitit, liderët do të zhvillojnë konferencën e përbashkët për shtyp.

14:14- “Vend i bukur me premtime të pambajtura”, Rama pas Samitit të BE-së: Ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur

Pas përfundimit të Samitit të BE-së në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka ndarë në Twitter foton e përbashkët me liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që ishin prezentë në Samit.

“Vend i bukur me premtime të bukura të pambajtura. Por ne shqiptarët nuk dorëzohemi bukur”, shkruan Rama në Twitter.

“Vend i bukur me premtime të pambajtura”, Rama pas Samitit të BE-së: Ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur

“Vend i bukur njerëz të këndshëm fjalë të bukura foto të bukura dhe imagjinoni sa më bukur mund të ishte nëse premtimet e bukura do të pasoheshin nga një dorëzim i këndshëm… Por ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur! Kështu që ne do të vazhdojmë dhe do të punojmë edhe më shumë për ta bërë Shqipërinë një anëtare të mirë të BE-së”, shkruan Rama.

Liderët e BE-së u mblodhën sot në një samit dy ditor në Bruksel.

13:31- Zelensky: Anëtarësimi në BE është e ardhmja që ka zgjedhur Ukraina

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se anëtarësimi në BE është “zgjedhja e Ukrainës për vizionin tonë të së ardhmes”, sipas CNN.

Sot ose nesër, ne kemi një shans të madh për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE,” tha Zelensky. “Ukraina ka bërë zgjedhjen e saj, një të ardhme më afër Bashkimit Europian dhe së shpejti ne do të jemi pjesë e asaj familjeje.

Ne kemi sakrifikuar shumë për këtë,” tha ai. “Por më e rëndësishmja, kjo është zgjedhja jonë — zgjedhja e vizionit tonë të së ardhmes.”

Zelensky tha se pas përfundimit të luftës, Ukraina do të fokusohet në “ndërtimin e një shteti europian që do të jetë pjesë e BE-së”, por kërcënimi nga Rusia do të mbetet.

Ne do ta kuptojmë shumë qartë se fqinji ynë është Rusia dhe se Rusia, edhe nëse e fitojmë luftën, pas 10 apo 20 vitesh Rusia mund të na sulmojë përsëri. Nuk them se kjo do të ndodhë, por ka një mundësi.

Zelensky tha se zhvillimi i institucioneve të sigurisë të Ukrainës do të jetë një pjesë e rëndësishme e procesit të rindërtimit. “Siguria në të gjitha hapësirat publike, duke filluar nga kufijtë e vendit tonë deri në qendër,” tha ai.

Ne kemi përgatitur shumë projektligje, shumë reforma”, shtoi ai.

12:24 – Ukraina një hap larg BE-së, Parlamenti Evropian miraton raportin për t’i dhënë menjëherë statusin e vendit kandidat

Parlamenti Evropian ka miratuar me 529 pro, 45 kundër dhe 14 abstenime raportin në të cilin kërkon t’i jepet menjëherë statusi i vendit kandidat në BE, Ukrainës dhe Moldavisë.

Raporti tregon gjithashtu vullnetin e Dhomës për t’i dhënë statusin Gjeorgjisë, pasi të jenë përfunduar reformat e nevojshme.

Deputetët pohojnë se “në kontekstin e luftës brutale ruse të agresionit kundër Ukrainës, kjo zgjedhje do të tregonte lidership, vendosmëri dhe largpamësi”.

Por, ata theksojnë “se nuk ka procedurë të përshpejtuar për anëtarësimin në BE” dhe se ky mbetet një proces bazuar ne meritë.

12:16 – “Burri më i pandershëm që njoh”, Petkov akuzon Borisov për bllokimin e negociatave: Po bën lojë të dyfishtë

Kryeministri bullgar, Kilir Petkov me sa duket i ka shuar shpresat Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i përket rrugës drejt integrimit.

Petkov deklaroi nga Brukseli se nuk kishte asnjë shans që Bullgaria të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim.

Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Bojko Borisov si përgjegjës që po pengon rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, “është personi më i pandershëm që njoh, në mëngjes thotë se dëshiron të mbështesë hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke marrë një vendim të rëndësishëm dhe pasdite bllokon punën. Kjo lojë e dyfishtë, duke thënë një gjë dhe duke bërë një gjë tjetër, ishte normale vitet e fundit kur Borisov ishte kryeministër edhe nëse e kemi harruar në gjashtë muajt e fundit. Nuk do të ndryshojë kurrë”, deklaroi Petkov.

Vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut deri tani ka penguar integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.

11:52 – “Procesi është i vështirë”, Mitsotakis: Ballkani Perëndimor të jetë integruar në BE deri në vitin 2033

Greqia do të rekomandojë caktimin e vitit 2033 si një afat kohor për përfundimin e procesit të pranimit për Ballkanin Perëndimor kur krerët e BE-së të takohen të enjten në Këshillin Evropian, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis teksa mbërriti për takimin në Bruksel.

“Greqia qëndron në anën e Ballkanit Perëndimor, si ekonomia më e madhe në rajon, si një vend që ka korrur përfitimet e anëtarësimit në familjen evropiane. Greqia do të mbështesë Ballkanin Perëndimor në përpjekjen e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian”, u tha ai gazetarëve.

“Ne e dimë se për këto vende procesi është i vështirë…Megjithatë, pikëpamja ime është se është shumë e rëndësishme të ofrohet një moment historik specifik në mënyrë që ky proces të përfundojë. Propozimi im për Këshillin Evropian është që ky moment historik të jetë në vitin 2033, tridhjetë vjet pas Samitit të Selanikut, në mënyrë që Ballkani Perëndimor dhe qytetarët e tyre të dinë se në fund të këtij procesi të gjatë mund të presin me padurim të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri grek

11:47 –“Asnjë shans për këtë samit”, kryeministri bullgar për heqjen e vetos: Më vonë e flasim

Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha të enjten (23 qershor) se nuk kishte asnjë shans që Bullgaria të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim.

Petkov, tani në cilësinë e ish-kryeministrit, i qëndron mendimit të tij se parlamenti duhet të miratojë një rezolutë që lejon heqjen e vetos, bazuar në miratimin e propozimit të Presidencës franceze.

Petkov tha se i pëlqente “personalisht” propozimi francez, por nuk i takonte atij, por parlamentit të merrte një qëndrim.

Duke folur me gazetarët në pragun e samitit të BE, Petkov shpjegoi se parlamenti bullgar jepte dritën jeshile për heqjen e vetos dhe vetëm atëherë ai do të bënte lëvizjen e tij që duhet të jetë e qëndrueshme me kalimin e kohës, pavarësisht se kush qeveris.

 “Kjo është ajo që do t’u them liderëve të BE-së”, tha ai.

Ai shpjegoi se opozita bullgare përdori çështjen maqedonase për ta shantazhuar kabinetin e tij sa herë që kishin frikë.

Situata e tensionuar politike në parlamentin bullgar pas votimit të mosbesimit të miratuar dje nuk ndihmon për një zgjidhje të shpejtë të problemit të vetos.

11:22 – Dritë jeshile për Bullgarinë dhe MV? Zykaj: Ka sinjale për zhbllokim të vetos bullgare

Samiti i liderëve europianë me ata të Ballkanit Perëndimor ka nisur që prej orës 10 sot në Bruksel.

Në Samit pritet të diskutohen çështje të nxehta për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për në BE.

Gazetarja e Abc, Erisa Zykaj raporton nga Brukseli se sot mund të bëhet një përpjekje e dytë për heqjen e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Sipas burimeve për Erisa Zykaj sot ose nesër mund të ketë sinjal pozitiv për arritje të marrëveshjeve politike për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe MV, gjithmonë nëse Bullgaria zhbllokon veton.

Ka një lloj sinjali nga ana e qeverisë bullgare që mund të zhbllokohet veto e Bullgarisë”, thotë gazetarja për Abc Live.

Gjithashtu vendosmëria e Francës për zgjedhjen e situatës së Ballkanit Perëndimor është një plus për vendin tonë dhe MV, Pasi Emanuel  Macron dëshiron që të zgjedhë çështjen e BP brenda përfundimit të presidencës në fund të qershorit.

11:10 – NEGOCIATAT/ Reuters: Zhgënjim në Ballkanin Perëndimor. Rama: Ukrainasit të mos krijojnë shumë iluzione anëtarësimi

Qytetarët e Ballkanit kanë ëndërruar prej kohësh të bashkohen me BE-në pas luftërave etnike të viteve 1990, pasi Jugosllavia u shpërbë dhe udhëheqësit e BE-së do të thonë përsëri në samitin e së enjtes se gjashtë vendet do të anëtarësohen një ditë, sipas një draft deklarate përfundimtare të parë nga Reuters.

Prapa retorikës triumfuese, megjithatë, ka shqetësim brenda BE-së se si blloku mund të mbetet koherent dhe i bashkuar ndërsa vazhdon të zgjerohet.

Mungesa e përparimit në pikat historike për hyrjen në BE ka çuar në një ndjenjë të tillë zhgënjimi sa udhëheqësit e Shqipërisë dhe Serbisë menduan fillimisht të mos merrnin pjesë në takim.

Ata ranë dakord përfundimisht të bënin udhëtimin drejt Brukselit, por kryeministri shqiptar Edi Rama tha kur mbërriti në samit: “Mirë se erdhe Ukrainë, është një gjë e mirë të japësh statusin e kandidatit, por shpresoj se populli ukrainas nuk do të ketë shumë iluzione për këtë. ”

Një draft i deklaratës së samitit i parë nga Reuters tregoi se liderët e BE-së do të japin përsëri “angazhim të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor”.

Por rruga e shpejtë e Ukrainës drejt statusit zyrtar të kandidatit ka shërbyer vetëm për të rritur ndjenjën e të qenit mënjanë, gjë që mbart rrezikun për BE-në që Rusia dhe Kina të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon.

“Sa më shumë që BE të mos i japë një shenjë të unifikuar dhe të qartë Ballkanit Perëndimor, aq më shumë faktorë të tjerë malinj do ta përdorin atë hapësirë dhe atë vakum,” tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një aluzion për këto shqetësime.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se BE-ja duhet të “reformojë procedurat e saj të brendshme” për t’u përgatitur për pranimin e anëtarëve të rinj, duke veçuar nevojën që çështjet kyçe të bien dakord me një shumicë të cilësuar dhe jo me unanimitet.

Kërkesa për unanimitet shpesh frustron ambiciet e BE-së, sepse shtetet anëtare mund të bllokojnë vendimet ose t’i reduktojnë ato.

Pavarësisht valëve të krizave që kanë tronditur BE-në vitet e fundit, nga vala e migrimit dhe dalja e Britanisë nga blloku te rritja e nacionalizmit dhe tensionet mbi standardet e demokracisë, blloku mbetet popullor.

Sipas një sondazhi nga parlamenti i BE-së, gati dy të tretat e evropianëve e konsiderojnë anëtarësimin në BE një “gjë të mirë”, rezultati më i lartë në 15 vjet.

Megjithatë, liderët e dinë se pakënaqësia publike po rritet për shkak të rritjes së inflacionit dhe krizës energjetike ndërsa Rusia shtrëngon furnizimet me gaz në përgjigje të sanksioneve perëndimore dhe këto shqetësime ekonomike do të debatohen ashpër në ditën e dytë të samitit.

10:29 – Gjermania: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë një shans realist për t’u anëtarësuar në BE

BRUKSEL – Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një mundësi reale për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian pasi kanë punuar shumë për shumë vite për të përmbushur kushtet për hyrjen në bllok, tha të enjten në Bruksel kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Qytetarët në Ballkanin Perëndimor kanë pritur për gati 20 vjet mundësinë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian,” u tha Scholz gazetarëve përpara një takimi të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Është shumë e rëndësishme që ky të bëhet një premtim i besueshëm sepse përpjekjet e shumta që këto vende kanë ndërmarrë duhet në fund të çojnë në pranimin e tyre”, tha ai, duke shtuar se Gjermania do të punojë drejt këtij qëllimi.

10:24 –Presidenti i KE: Do të japim dritën jeshile për Ukrainën dhe Moldavinë, për të marrë statusin e kandidatit për në BE

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë nga Brkseli se unionin i BE-së do t’i japë Ukra8inës statusin e vendit kandidat në BE.

‘Ky është një moment vendimtar për BE-në. Besoj de do t’i japim Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate për në BE. Ne do të shprehim një një perspektivë të qartë dhe të fortë evropiane për Gjeorgjinë”, deklaroi Michel.

Liderët e BE-së do të mblidhen sot në një samit dy ditor në Bruksel.

Kryeministri Rama së bashku me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Vuçiç dhe Kovaçevski kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre pas sinjaleve pozitive nga Bullgaria.

10:08 – “Nuk po shkon mirë, por ka ende shpresë”, Borrell: Sot duhet të nisim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Vetoja e Bullgarisë për hyrjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE shkakton debat në arenën ndërkombëtare.

“Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi në Ballkan, sot duhet të nisim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time. A ka ende shpresë? Nuk e di se çfarë mund të bëjë parlamenti në Bullgari. Por duket se nuk po shkon mirë”- kështu deklaroi përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Ne do të duhet të përpiqemi të zgjidhim situatën dhe kjo tregon se unanimiteti është një problem, nuk mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka. Sot nuk është një ditë e mirë”. tha Borrell.

10:02- “A do ta njohë Serbia Kosovën? Vuçic përgjigjet nga Brukseli: Mos prisni fare për këtë

Edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të jetë i pranishëm sot në Samitin e BE-së.

Nga Brukseli Vuçiç iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse pret kritika në Samitin BE-së  për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Vuçic ka deklaruar se ka një përgjigje të gatshme ndaj kritikave .

“E pres apo jo, do të marrë një përgjigje”, tha Vuçiç, për gazetarin kroat.

I pyetur për të komentuar faktin se kancelari gjerman Olaf Scholz tha më herët se pret që Serbia ta njohë Kosovën, Vuçiç u përgjigj shkurt: “Edhe unë i thashë që mos të presin fare për këtë.”

09:37- “Jeni një turp”, Rama ia thotë në sy gazetares bullgare në Bruksel: Do ndërtojmë Evropën në vendin tonë

Kryeministri Rama ka folur para Samitit të BE-së në Bruksel.

Teksa u ndal te çështja bullgare dhe e quajti një turp për Evropën, kryeministri tha se nuk shpreson që të zgjidhet asgjë.

I pyetur nga gazetarët bullgarë, Rama nuk ngurroi t’ia thoshte në sy se janë “një turp.”

“Ohh Bullgaria këtu. Jeni rrëmujë ju djema. Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp teksa mbani peng dy vete të tjera të NATO-s. Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje u ngrit optimizmi por këtu jemi dhe është një ditë e re në Evropë por jo në Bullgari”, u shpreh ai.

Teksa u pyet nëse ka frikë se do të jetë Shqipëria, viktimë, Rama tha: “Ne s’do të jemi kurrë viktimë se e dimë që në këtë rrugë ka një Bullgari këtu dhe një Bullagri atje, por ne nuk e ndryshojmë kursin tonë dhe do e ndërtojmë Eruopën në vendin tonë”

09:26- Rama i buzëqeshur krah Kovaçevskit në Bruksel: Jemi mësuar me këtë farsë

Pas akuzave ndaj Bullgarisë dhe Bashkimit Europian për një refuzim të mundshëm të hapjes së negociatave, kryeministri Edi Rama, nuk i ka kursyer edhe ironitë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar një foto me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, ku shihen të dy të buzëqeshur.

Foton Rama e ka shoqëruar me një shkrim, duke iu referuar dramës ‘Duke pritur Godonë’, shprehje kjo e përdorur edhe herë të tjera nga i pari i qeverisë për pritjen e gjatë për çeljen e negociatave.

‘Ende po prisni Godonë? Jo, ne jemi mësuar me këtë shfaqje dhe jemi më shumë se kurrë të përkushtuar që të shtyjmë përpara modernizimin e vendeve dhe rajonit tonë me frymën e palëkundur evropiane.’- shkruan Rama.

09:13- Edi Rama flet nga Brukseli: Bullgaria po mban peng dy vende të NATO-s, BE vetëm vështron

Kryeministri Rama ka mbërritur në Bruksel, në kuadër të samitit 2-ditor të BE.

Rama ka folur para gazetarëve dhe ka ritheksuar se nuk pret që të zgjidhet asgjë me çështjen Bullgare. Megjithatë kryeministri u shpreh se nëse kjo zgjidhet do të jetë një sinjal pozitiv për të marrë frymë.

Rama: Unë e kam thënë edhe po e përsëris. Përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari. Nëse do zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s në kulim e një lufte të nxehtë në kufijtë e Evropës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë.

Kryeministri shtoi se është turp që Bullgaria “rrëmben” 2 vende të NATO-s në mes të luftës që ka shpërthyer në Ukrainë.

Rama: Është turp që Bullgaria rrëmben dy vende të NATO-s në mes të një lufte në Evropë. Viktimë, jo. Nuk do jemi kurrë viktimë sepse e dimë se në këtë rrugë është një Bullgari këtu, një atje. Ne nuk e ndryshojmë rrugën. Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë Evropën në shtëpinë tonë. Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë ndërsa rruga e integrimit do vazhdojë, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajon. Ballkani i Hapur është i hapur për këdo. Jemi në ulëset e para sepse çdokush duhet të ngasë makinën e vet dhe Shqipëria po bën pjesën e vetë, sepse na e kërkon Brukseli, por mbi të gjitha fëmijët tanë. Maqedonia e Veriut është kandidate prej 17 vitesh, Shqipëria prej 8, kështu që mirëserdhët në Ukrainë. Është gjë e mirë që Ukrainës i jepet statusi kandidat, por ukrainasit të mos krijojë shumë shpresa.

Lliderët e BE-së mblidhen sot në një samit 2-ditor në Bruksel. Liderët evropianë pritet të nënshkruajnë rekomandimin e javës së kaluar të Komisionit Evropian, për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, udhëheqësit e BE pritet gjithashtu të shprehin angazhimin e plotë dhe të qartë të bllokut ndaj perspektivës së anëtarësimit të rajonit në bllok dhe të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

09:08- Samiti i BE-së, reagon Edi Rama: Sa turp për Evropën kjo çështje bullgare

Teksa sot mblidhet Samiti i Bashkimit Europian në Bruksel, duke se shpresat për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë të zbehta.

Kryeministri Edi Rama këtë mëngjes e ka cilësuar si turp për Europën që ende vijon me çështjen Bullgare që ka bllokuar negociatat me Maqedoninë e Veriut, rrjedhimisht edhe me Shqipërinë. Rama ka vënë theksin edhe tek lufta që po zhvillohet në Ukrainë, ndërsa shton se 26 vendet e BE-së, vetëm po vështrojnë se si Bullgaria ka marrë peng sipas tij dy vende të NATO-s.

Postimi i Ramës:

Është një ditë e re në Evropë, por jo në Bullgari! Sa turp për Evropën kjo çështje bullgare! Në mes të një lufte shumë të nxehtë në oborrin e pasmë të Evropës, një vend i NATO-s rrëmben dy vende të tjera të NATO-s nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence!

Kujtomë se Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Bruksel për të marrë pjesë në këtë samit.  Udhëheqësit e BE-së do të takojnë homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor sot në mëngjes, përpara samitit kryesor.

09:07- Shpresë për liberalizimin e vizave, Vjosa Osmani mbërrin në samitin e BE

Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në Samirin e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, megjithëse nuk ka pritshmëri për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Unë shkoj gjithmonë atje (BE) me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, tha presidentja Vjosa Osmani një ditë më parë për median holandeze NRC.

Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në Bruksel sot dhe nesër, ku do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e bllokut.

Komisioneri i BE-së  për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Olivér Várhelyi, i ka bërë thirrje Bullgarisë që të miratojë sot në Samitin e BE-së propozimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Varhelyi i bën thirrje parlamentit evropian dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe të miratojnë sot në Samitin e BE-së, propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“BE i merr shumë seriozisht të gjitha shqetësimet bullgare dhe tani ato janë pjesë e procesit të negociatave. Momenti për vendime të përgjegjshme është tani. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit tonë Europian. Së bashku do të jemi më të fortë.

I bëjmë thirrje Parlamentit Bullgar dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe ta vendosin propozimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për miratim sot siç është propozuar më herët.

Kreu i opozitës bullgare Boyko Borissov tashmë ka treguar lidership duke e hedhur propozimin në tryezë. Ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. BE-ja duhet të lëvizë”,  shkruan Varhelyi.

/Abcnews.al/