Talebanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.1.
Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë dhe të paktën 1500 janë plagosur. Një numër i paidentifikuar personash janë varrosur nën rrënojat e shtëpive, shpesh të ndërtuara nga balta.
Province juglindore Paktika është goditur më së shumti dhe OKB-ja po përpiqet të sigurojë strehim urgjent dhe ndihmë ushqimore.
Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga reshjet e shiut dhe mungesa e burimeve.
Të mbijetuarit thanë për BBC se kanë frikë se do rritet numri i personave të vdekur.
Tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin në dy dekada është një sfidë e madhe për talebanët, lëvizjen islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë të mbështetur nga perëndimi.
Tërmeti goditi rreth 44 km (27 milje) nga qyteti i Khost dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi.
Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike, dhe Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë i talebanëve, tha se qeveria ishte “e paaftë financiarisht të ndihmonte njerëzit në masën që është e nevojshme.”
Agjencitë e ndihmës, vendet fqinje dhe fuqitë botërore po ndihmonin, tha ai, por shtoi: “Ndihma duhet të rritet në një masë shumë të madhe, sepse ky është një tërmet shkatërrues që nuk është përjetuar në dekada.”
Kreu i Kombeve të Bashkuara, António Guterres tha se agjencia ishte “mobilizuar plotësisht” për katastrofën. Ekipet shëndetësore, furnizimet mjekësore, ushqimi dhe strehimoret e urgjencës ishin rrugës për në zonën e tërmetit, thanë zyrtarët e OKB-së./Abcnews.al/