Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe liderin serb Aleksandër Vuçiç nuk i janë përgjigjur ende ftesës për të marrë pjesë në Samitin e BE-së.
Samiti do të zhvillohet në Bruksel më 23 dhe 24 qershor.
Teksa duket “i pashpresë” për një “Po”, kryeministri Rama pasi bisedoi dje me dy liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ngriti pyetje se “çfarë duhet bërë atje?”
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
19:17- Mediat bullgare: Rënia e qeverisë së Petkov mund të pengojë zgjerimin e BE-së
Rënia e qeverisë bullgare e kryeministrit Kirli Petkov pasditen e së mërkurës, nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“APNEWS”, shkruan se rënia e qeverisë së Petkov fut në krizë jo vetëm politikën e brendshme bullgare, por edhe atë të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së.
Sipas “APNEWS” Bullgaria u zhyt më thellë në krizë politike pasi qeveria e kryeministrit Kiril Petkov humbi një votë mosbesimi në parlament, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të katërta të përgjithshme brenda vetëm dy viteve.
Petkov, i cili kërkoi të trajtonte korrupsionin dhe të frenonte ndikimin rus që kur mori detyrën vitin e kaluar, do të duhet të japë dorëheqjen pasi një ish-partner i vogël në koalicionin e tij të brishtë iu bashkua ligjvënësve të opozitës për ta votuar atë të mërkurën. Rreth 123 ligjvënës në asamblenë prej 240 anëtarësh votuan kundër qeverisë; 116 ishin pro.
18:28- Rrëzohet qeveria e kryeministrit Kiril Petkov në Bullgari
Me votimin e sotëm në parlament ku 123 deputetë votuan “pro” dhe 116 “kundër”, tashmë partia e Petkov-it ka një mundësi të dytë që të propozojë një qeveri në parlament. Nëse kjo përpjekje dështon, atëherë mbeten edhe dy përpjekje nga dy partitë e tjera përpara se presidenti të caktojë një drejtues të kabinetit dhe të njoftojë zgjedhjet e parakohshme.
Petkov, i cili erdhi në pushtet vetëm gjashtë muaj më parë, u votua me zotimin se do të luftojë korrupsionin dhe e ka shtyrë Sofjen që të mbajë një linjë të pazakontë, kundër Rusisë që nga nisja e pushtimit në Ukrainë.
Mocioni i mosbesimit të mërkurën precipitoi nga Slavi Trifonov i cili tërhoqi partinë e tij nga koalicioni i brishtë prej katër partish. Trifonov është shprehur se ka mosmarrëveshje rreth buxhetit dhe e akuzon Petkov-in se u tregua “i butë” duke lejuar Maqedoninë e Veriut të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE.
Kujtojmë se vendim i opozitës bullgare më herët gjatë ditës së sotme për të mbështetur heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut ka nxitur shpresat për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit.
12:51 – Pas Ramës edhe Vuçiç bashkë me Kovaçevski konfirmojnë pjesëmarrjen në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel
Liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, kanë vendosur të marrin pjesë në samitin e tmerrshëm BE-Ballkani Perëndimor, njoftoi sot Presidenca serbe.
Takimi po mbahet në Bruksel gjatë samitit të Këshillit Evropian.
Në deklaratë thuhet se pas konsultimeve të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e qeverive, liderët e tre vendeve vendosën të shkojnë së bashku në samit, duke rënë dakord për parimet që do të jenë shtylla kryesore e bisedimeve me zyrtarë të shumtë të BE-së.
“Duke pasur parasysh se Republika e Serbisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut përfaqësojnë vazhdimisht interesat e qytetarëve të tyre dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në të gjitha forumet relevante ndërkombëtare, vendimi për pjesëmarrjen dhe qasjen e përbashkët në samitin e Brukselit është një tjetër hap në përparimin e vendit tonë”, por edhe një sinjal i qartë se përkundër pengesave të shumta, ne vazhdojmë të japim një kontribut konstruktiv në rrugën e integrimeve evropiane”, thuhet në kabinetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
12:15 – “Dritë jeshile” në Bullgari, Rama merr vendimin për pjesëmarrjen në Samitin e BE-së
Liderët e “Ballkanit të Hapur”, Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Dimitar Kovaçevski do të marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor më 23 qershor në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi praninë në samiti, por theksoi se është ende herët për të qenë optimistë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një postim në Twitter kreu i qeverisë shqiptare tha se “ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë për Ballkanin e Hapur”.
“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”- shkruhet në postimin e Ramës në Twitter.
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm të BE-së e ka diskutuar me video-lidhje me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri te mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por vendimi i insitucioneve evropiane për këtë çështje ende nuk është marrë.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.
Ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov, tashmë lideri i opozitës, ka reaguar për mediat pasi konfirmoi votat për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave.
“Kryeministri dhe shumica qeverisëse marrin vendime të vështira dhe jopopullore kur mbajnë një parim, dhe parimi është që për momentin partnerët euroatlantikë duan zgjerimin e Ballkanit. Nuk mund ta imagjinoj një kryeministër – tema më e rëndësishme për Evropën, për Amerikën, për ne, as që e ka lexuar! Dhe dje gënjeu sërish se do të shkonte në këshill dhe do të akuzonte dikë se i ndërhynte në punë”, tha Borisov, duke sulmuar kryeministrin drejt largimit, Kiril Petkov.
“Kiril Petkov ia lejon vetes të gënjejë në Bruksel se po e shqetëson ministri i sllavëve, se po e shqetëson partia jonë”, shtoi Borisov.
Borisov tha se kishte folur me ligjvënësit e partisë së tij, GERB, për t’i dhënë dritën jeshile Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Pra, Petkov duhet të thërrasë menjëherë një mbledhje të Këshillit të Ministrave, për të bërë propozime, për të ardhur në parlament”, tha Borisov.
11:39 –Bullgaria drejt heqjes së vetos për Maqedoninë e Veriut, Varhelyi: Vendim historik
Bullgaria ka vendosur që të heq veton që pengonte çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, rrjedhimisht edhe për Shqipërinë.
Menjëherë pas këtij vendim, ka pasur një reagim edhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.
“Falënderojmë liderin e opozitës Borisov për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez që lejon vazhdimin me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, ka shkruar Varhelyi.
Ishte ish-kryeministri bullgar, njëkohësisht dhe kreu i opozitës, Boyko Borisov i cili tha se 59 deputetët e tij do të votojnë pro propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“I kam kërkuar deputetëve të GERB-it, nëse më besojnë, ta mbështesin propozimin, nëse Petkovi trembet, do të jenë 59 deputetë për t’i dhënë dritën jeshile Maqedonisë dhe Shqipërisë. Siç premtova, të shtunën lexuam tekstet për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Unë besoj në Macron dhe KE, deri më tani gjithçka e mirë që ka ndodhur është falë BE-së”, shtoi Borisov.
11:30 – Nesër Samiti i BE-së në Bruksel, çfarë propozon Macron për Ballkanin Perëndimor
Nesër, 23 qershor, pritet të zhvillohet Samiti i radhës i BE-së në Bruksel.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe lideri serb Aleksandër Vuçiç nuk i janë përgjigjur ende ftesës për të marrë pjesë në Samitin e BE-së.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të shqyrtojnë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë si edhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor për tu anëtarësuar në BE.
Sipas Euroactiv mësohet se Franca ka propozuar krijimin e një “Komuniteti Politik Evropian”.
Presidenti Francez, Emanuel Macron ka folur për krijimin e një platforme për koordinimin politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin.
Platforma mund të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, vendet e asociuara të Partneritetit tonë Lindor, vendet e EFTA-s dhe të gjitha vendet e tjera evropiane me të cilat Bashkimi Europian ka marrëdhënie të ngushta.
“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e dokumentit që do të prezantohet në samit.
Nga ky takim do t’i bëhet ftesë Komisionit Evropian, përfaqësuesit të Lartë dhe Këshillit që “të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit në mënyrën reversibile dhe bazuar në merita”.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të vendosin sot nëse do të marrin pjesë në samitin e BE-së, ku do të merret vendim për çeljen e negociatave.
Samiti do të mbahet në Bruksel më datat 23 dhe 24 qershor, ndërsa nuk ka pasur ende një deklaratë të qartë nga tre vendet e rajonit, nëse do të jenë të pranishme.
Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë në një postim në rrjetet sociale se pasi bisedoi me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, u arrit në përfundimin se do të ketë një tjetër “Jo, më fal!” nga samiti.
Bullgaria ka bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me veton ndaj kësaj të fundit.
Ndërkohë, BE nuk i ka trajtuar të ndara dy vendet në procesin e integrimit, me argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
BE do të marrë gjithashtu në konsideratë dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në samitin e Brukselit.
11:23 – Sfidat e Shqipërisë drejt BE-së, Berisha: Një aventurier dje refuzoi ftesën për në Bruksel, vendimi u mor nga padroni në Beograd
Sali Berisha në një tryezë me ekspertë, diplomatë, akademikë e gazetarë ka diskutuar për sfidat e Shqipërisë drejt Integrimit Europian.
Deklaratën e djeshme të kryeministrit Rama për sa i përket pjesëmarrjes në samitin e BE-së, Berisha e cilëson rreshtim në anën e gabuar të historisë.
Berisha: Në fundin e Luftës së Dytë Botërre ne u rreshtuam në krahun e zi të historisë, në krahun e kundër të vokacionit tonë si komb, identitetit tonë dhe vazhduam për 46 vite me radhë. Këto 30 vite ishin vitet të cilat motoja e rilindësve tanë që shpërtheu në rrugë në dhjetor të ’90, u bë një moto udhëheqëse për vendin, me synimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Me shumë vështirësi morëm statusin e vendit kandidat për në BE. gjithçka ndaloi në vitet e qeverisjes së Edi Ramës. Standardet e arritura u shpërbënë dhe e vërteta është që në mënyrë të përsëritur mendoje se ky njeri nuk ka asnjë interes për integrimin e Shqipërisë në BE.
Berisha u shpreh se kjo që po ndodh gjatë këtyre ditëve është përsëritje e asaj që ndodhi në vitet ’44-’45.
Berisha: Në ato vite ne u rreshtuam në anën e kundër të historisë. Në këto vite ne po rreshtohemi përsëri në anën e kundër të historisë dhe kjo ndodhi para syve tanë.
Ballkani i Hapur
Berisha: Ballkani i Hapur apo minishengeni që u themelua në Novisad, sipas themeluesit të saj Aleksandër Vuçiç, 3 ditë pas samit u shpall se kjo është Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria. Në këtë proces të pranimit nga Edi Rama të hegjemonisë serbe në rajon u formua aleanca trilaterale. Ky proces solli një përçarje mes Shqipërisë dhe Kosovës, solli atë të cilën asnjë shqiptar nuk mund ta imagjinonte. Ndodhi një aventurier pa interesa vendi të deklarojë dje se refuzoj ftesën, nuk kam pse shkoj në Bruksel. Ky vendim merret më parë në Beogrda, shpallet nga padroni i tij.
11:14- Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vendosin sot nëse do të marrin pjesë në samitin e BE
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të vendosin dot nëse do të marrin pjesë në samitin e BE-së, ku do të merret vendim për çeljen e negociatave.
Samiti do të mbahet në Bruksel më datat 23 dhe 24 qershor, ndërsa nuk ka pasur ende një deklaratë të qartë nga tre vendet e rajonit, nëse do të jenë të pranishme.
Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë në një postim në rrjetet sociale se pasi bisedoi me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, u arrit në përfundimin se do të ketë një tjetër “Jo, më fal!” nga samiti.
Bullgaria ka bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me veton ndaj kësaj të fundit.
Ndërkohë, BE nuk i ka trejtuar të ndara dy vendet në procesin e integrimit, me argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
BE do të marrë gjithashtu në konsideratë dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në samitin e Brukselit.
10:45 –Çfarë do të nënshkruhet të enjten në Bruksel? Zbulohet dokumenti për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Në samitin e BE-së në Bruksel, liderët evropianë pritet të nënshkruajnë rekomandimin e javës së kaluar të Komisionit Evropian, për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat, bën me dije Euractiv.
“Këshilli Evropian ka vendosur të japë statusin e vendit kandidat për Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë”, pritet të deklarojnë liderët e BE-së kur të takohen për samitin e tyre të BE të enjten (23 qershor).
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, udhëheqësit e BE pritet gjithahstu të shprehin angazhimin e plotë dhe të qartë të bllokut ndaj perspektivës së anëtarësimit të rajonit në bllok dhe të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, pas një takimi të planifikuar midis liderëve të BE-së dhe gjashtë homologëve të tyre nga rajoni. .
Nga gjashtë kandidatët, vetëm Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur zyrtarisht negociatat e pranimit, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë në dhomën e pritjes për disa vite.
Serbia, së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat janë pjesë e Iniciativës për Ballkanin e Hapur, kanë kërcënuar me një mos-shfaqje në samit dhe kanë thënë se do të njoftojnë të mërkurën në mesditë nëse do të marrin pjesë në takimin e ardhshëm, planifikuar për të enjten në mëngjes, vijon Euractiv.
Presidenti serb Vuçiç është nën presionin në rritje të BE-së për t’u koordinuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, diçka që ai ka refuzuar ta bëjë, duke mos hequr dorë nga miqësia tradicionale midis Beogradit dhe Moskës.
“Këshilli Evropian u bën thirrje të gjitha vendeve që të harmonizohen me sanksionet e BE-së, në veçanti vendet kandidate”, thuhet në konkluzionet e Këshillit.
Pavarësisht se disa vende anëtare të BE-së, duke përfshirë Slloveninë dhe Austrinë, po bëjnë presion që Bosnja dhe Hercegovina (BiH) të marrë gjithashtu statusin e kandidatit për në BE, sipas diplomatëve të BE-së, kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë.
Në vend të kësaj, liderët e BE-së pritet të mirëpresin marrëveshjen e fundit politike, por theksojnë se liderët e Bosnjës do të duhet të zbatojnë fillimisht angazhimet e saj, të cilat do t’i lejojnë vendit të përparojë me vendosmëri në rrugën e tij evropiane, në përputhje me prioritetet e përcaktuara në opinionin e Komisionit për të marrë statusin kandidat në BE”.
Sipas draft-përfundimeve të samitit, pritet që ata të komentojnë mosmarrëveshjen dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila ka penguar përparimin e vendit në procesin e zgjerimit për atë që Sofja e sheh si politikë antibullgare në vendin fqinj si dhe çështjet e identitetit.
Teksti i vetëm nga draft-konkluzionet për të cilin ende nuk është rënë dakord është “negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Pavarësisht disa përparimeve dhe një propozimi francez për një afat kohor për zgjidhjen e çështjeve, parlamenti bullgar mbetet kundër hapjes së bisedimeve të pranimit nga Shkupi përpara se të arrihet përparim i prekshëm.
Deputetët në Sofje të mërkurën në mbrëmje do të votojnë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kiril Petkovit. Petkov ka humbur mazhorancën pasi partia “Ka një popull të tillë” u largua nga koalicioni 4-palësh, duke akuzuar kryeministrin se kërkon t’u heqë veton pas shpine deputetëve.
Sipas komentuesve politikë në Sofje, Petkov do të humbasë mocionin.
“Bazuar në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian fton Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin që të avancojnë më tej integrimin gradual midis Bashkimit Evropian dhe rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita”, thuhet në draftin e Konkluzioneve të Këshillit.
Megjithatë, ata nuk do të përmbushin çdo angazhim më të fortë për sa i përket afatit kohor të mundshëm për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok.
10:27 –Hapja e negociatave, kryeministri italian Draghi zbulon qëndrimin e vendit të tij për Shqipërinë
Kryeministri italian Mario Draghi ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në BE.
“Italia mbështet negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Draghi para ligjvënësve.
Ai u ndal te çështja e Ballkanit Perëndimor, pas një diskutimi për mbështetjen ndaj Ukrainës, që solli përçarje në koalicionin qeverisës, shkruan Euractiv.
“Qeveria italiane, së bashku me BE-në dhe G7, synon të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, siç na ka thënë ky Parlament të bëjmë”, ripohoi Draghi.
Në mars, Parlamenti i dha dritën jeshile furnizimeve me armë Kievit. Por ish-kryeministri Giuseppe Conte kërcënoi se do të largohej nga shumica qeverisëse, pasi lindën mosmarrëveshje mbi mbështetjen për Ukrainën.
Partia e Conte po përballet gjithashtu me ndarje të brendshme. Ministri i Jashtëm Luigi di Maio u largua nga partia dhe anëtarë të tjerë të dy dhomave do ta ndjekin atë. Është ende e pasigurt nëse kjo do të ketë pasoja në stabilitetin e qeverisë.
09:57 – Negociatat me BE, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vendosin sot nëse do të bojkotojnë apo jo Samitin e BE
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të vendosin sot nëse do të marrin pjesë në Samitin e BE-së, i cili do të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.
Por, në pritjen e “Jo-së” së mundshme, duket se 3 vendet e Ballkanit Perëndimor do refuzojnë pjesëmarrjen.
Një ditë më parë, kryeministri Rama bëri me dije se kishte pasur një bisedë të gjatë me Vuçiçin dhe Kovaçevskin.
Në deklaratën e djeshme të Ramës thuhej: Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!
Kjo ngriti pikëpyetjet se qeveria do të refuzojë t’i bashkohet Samitit.
Por teksa pritet një përgjigje përfundimtare, kryeministri Rama dhe djali i tij i vogël Zaho kanë udhëtuar ditën e djeshme drejt Francës. Nuk dihet se cila është arsyeja e vizitës së kryeministrit.
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor./Abcnews.al/