Harta Gjyqësore, avokatët vijojnë bojkotin në disa qytete, Vlora pezullon edhe masat e sigurisë

schedule11:23 - 21 Qershor, 2022

schedule 11:23 - 21 Qershor, 2022

Dhoma e avokatisë në Vlorë ditën e sotme ka pezulluar edhe masat e sigurisë.

Kjo është java e dytë që avokatët e Vlorës vijojnë grevën duke pezulluar të gjitha seancat, ndërsa të martën dhe të mërkurën (21-22 qershor) janë pezulluar edhe masat e sigurisë.

Avokatët kundërshtojnë hartën gjyqësore të miratuar nga KLGJ.

Avokati Delo Mecani dhe Arnando Cakrani kanë konfirmuar se do të vijohet me pezullim pasi harta e re gjyqësore nuk është aspak në ndihmë të qytetareve por shton kostot.

Avokat Mecani ka shkuar edhe më tej duke kërkuar që pa afat të pezullohen edhe masat e sigurisë pasi vetëm në ketë mënyrë mund të ketë një zgjidhje.

Referuar faktit se përse gjyqtarët nuk janë bashkuar, avokatët e lidhin me arsyen se harta e re gjyqësore i ndihmon gjyqtarët që kërkojnë të jenë të gjithë në Tiranë aty ku edhe kanë pronat e tyre.

Në mbështetje të avokatëve Vlorë është edhe shoqëria civile që preket më shumë nga ndryshimi i hartës gjyqësore.

“Këtë javë në Vlorë janë pezulluar 375 seanca ndërsa në këto dy ditë edhe masat e sigurisë.”

“Sot vazhdohet greva qoftë procesi civil dhe ai penal. Mendimi i pakicës ka qenë që të vazhdojë braktisja e masave të sigurimit, shumica vendosi që të bëhet vetëm për dy ditë. Cilat janë problemet tona? Kjo është e ngjashme me ndryshimet që u bënë në reformat që u bë për gjykatat administrative.  Si u bë kjo? U tha që çështjet në gjykatën adiministrative do të përfundojnë për 30 ditë dhe brenda tre muajve i gjithë procesi gjyqësor. Venë tani me vite të tëra, dhe proceset gjyqësore nuk përfundojnë. Jo për 30 ditë, por për 30 vjet. U detyruan ta ndryshonin ligjin ta bënin pa afat. Pra kjo është një reformë e pa studiuar, sepse bëhet nga njerëz jo profesionist, nga njerëz që nuk e njohin fare praktikën gjyqësore dhe terrenin. E dyta. Ka qenë me një gjykatë apeli në Tiranë, dështoi u bë me gjashtë. Nuk thuhet asnjë argument, kush ishin faktorët që u bë me 6. Absurde është edhe shërbimi afër qytetarëve. Si qenka shërbimi afër qytetarëve, ai është këtu, jo në Tiranë. Neve na takon të shkojmë dy herë në javë në Tiranë, po kostoja e rrugës. Sepse një rrugë është deri te shqiponjat dhe një tjetër deri te gjykata. Bëhet për interesa personale. Unë dhe një grup tjetër jemi t’i bëjmë pa afat dhe masat e sigurisë, vetëm kështu ne mund tu themi që ata të vijnë këtu te ne, jo të vemi ne atje. “

“Kostoja e kësaj reforme dhe harte gjyqësore do të prekë jo vetëm avokatët por edhe qytetarët e Vlorës, jo vetëm për shkak të kostos, por edhe për shkak të të gjitha shërbimeve të tjera të cilat janë derivate i punës në gjykatat e rretheve. Kjo bëhet për shkak të interesit të disa personave në Tiranë.  Masat e sigurisë do të sjellin pasoja për afatet që janë përcaktuar në kodin e procedurës civile e penale. Po ashtu këto afate duhen respektuar, dhe në këtë kuptim mospjesëmarrja.”

Edhe avokatët e Lezhës ashtu siç paralajmëruan dje, sot janë ngritur në protestë.

Ata shprehen se do të vijojë bojkoti edhe në qytete e tjera gjatë ditëve të ardhme nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

“Protesta është një protestë e thirrur dhe e organizuar nga Dhoma Vendore e Avokatisë Lezhë për të ngritur zërin dhe për të sensibilizuar qytetarët që e drejta e tyre për akses gjyqësor të mos cenohet prej hartës së re gjyqësore. Ne jemi të vendosur që ta vazhdojmë protestën edhe në qytetin e Kurbinit dhe të Krujës në ditët në vijim.”

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi hartën e re gjyqësore më 10 qershor. Tashmë vendi do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, 1 gjykatë Administrative dhe 1 gjykatë Apeli.

KLGJ ka miratuar draftin i cili pritet që të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave/Abcnews.al/