Infeksionet urinare gjejnë përhapje më të shpeshtë në temperatura të larta. Mjekja Nefrologe e Spitalit Hygeia Elda Çule, thotë se këto infeksione janë më të përhapura tek femrat. Ajo tregon se cilat janë simptomat e këtyre infeksioneve të cilat nuk duhen neglizhuar.
“Temperaturat e larta dihet që në orgnizmin tonë japin dehidrim, ose tharje të trupit nga ujrat. Lagështira siç e kemi parë shumë në vendin tonë, predispozojnë shumë infeksionet urinare. Ato janë më të shpeshta tek femrat, janë të shpeshta dhe tek meshkujt të cilët kanë probleme të hershme të veshkave. Simptomatologjia e infeksioneve urinare është shumë thjeshtë për tu kuptuar, fillon me djegie në urinë, me parehati në fund të barkut, me urgjencën për të shkuar shpesh në banjë, me urinimin me pika, ndryshimi i ngjyrës së urinës, bëhet më e koncentruar, më portokalli. Ndonjëherë mund të komplikohet me ethe dhe me temperaturë të lartë.”
Edhe pacientët me sëmundje kronike renale duhet të tregojnë kujdes të shtuar këtë periudhë. Mjekja thotë se shqetësimet e tyre janë më të shpeshta gjatë muajve korrik dhe gusht.
“Një kujdes të veçantë duhet të kenë pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike të veshkave. Ata që vuajnë nga insufiçenca renale, të shoqeruar me diabet, me hipertension, apo pacientët që janë pjesë e kategorisë së dializës dhe transplantit duhet të tregojnë kujdes shumë të veçantë në balancimin e marrjes së ujit, në zëvendësimin e elektroliteve të cilat humbasin nëpërmjet djersitjes. Këta pacientë duhet të bëjnë kontrolle më të shpeshta këtë periudhë, me mjekun që i ndjek. Kapja në kohë e problemeve që sjell vapa është shumë e rëndësishme për këta pacientë. Nga eksperienca 10 vjeçare që kam në këtë spital, lagështira është në rritje dhe rastet të cilat vijnë me dëmtime të veshkës, si në kuadrin e temperaturave të larta, ose nga ajo që ne e quajmë goditje nga dielli, jan shumë të shpeshta. Sidomos në periudhën korrik, gusht.”
Çule ka disa këshilla për të ruajtur veshkat gjatë muajve të verës.
“Masat parandaluese janë shumë të thjeshta. E para është marrja e sasive të konsiderueshme të ujit, pra të zëvendësojmë ujin që ne humbasim me anë të djersës. 2 litra ujë 3 litra e gjys është minimalja që një njeri duhet të pijë.” /abcnews.al/