Si do të ndryshojë Kodi Penal?

schedule16:26 - 4 Maj, 2019

schedule 16:26 - 4 Maj, 2019

Të vlefshme janë ndryshimet në Kodin Penal por jo kur ato diktohen nga situatat politike. Kështu e ka cilësuar avokati penalist Saimir Vishaj angazhimin e qeverisë për të rritur masat ndëshkimore në 11 fusha. Disa prej masave nuk janë të nevojshme është shprehuar ai për abc neës pasi rëndësi ka vullneti për të zbatuar ligjin.

Bllokimi i rrugës nuk do të kalohet më vetëm masat që merr policia por për protestuesit do të hapen dyert e burgjeve për të qëndruar aty 3 vjet.

Ky është vetëm një nga 23 ndryshimet që propozon qeveria në Kodin Penal që vlerësohet pozitivisht nga avokati penalist Saimir Vishaj por që sugjeron që ndryshimet të mos bëhën vetëm në bazë të situatës politike që kalon vendi.

“Jam pro por më kujton ligjin e Ramiz Alisë“, thotë avokati.

Rritje e masës ndëshkimore është kërkuar edhe ndaj goditjes për shkak të detyrës. Jo më gjobë por burg deri në 4 vjet ndaj atyre që i kanosen policëve, 3 vjet kanosja ndaj personelit shëndetësor, e po kaq ndaj të zgjedhurëve, dhe deri në dy vjet burg kanosja ndaj funksionarëve të thjeshtë. Kush e kryen këtë vepër penale në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën, dënimi është nga 3 deri në 5 vjet burg.

Mjekimi i pakujdesshëm është propozuar të quhet “Neglizhencë në trajtimin mjekësor” dhe në rastet kur shkaktohet vdekja e pacientit të dënohet me burgim deri në katër vjet.

Ashpërsim të dënimeve është kërkuar edhe ndaj atyre që cënojnë sigurinë ushqimore, deri në 10 vjet heqje lirie tha kryeministri Rama përpara grupit parlament socialist ndërkohë që propozon burgim nga 10 deri në 15 vjet kur nga këto veprime preken fëmijë dhe gra shtatzëna.

 

Ndër 11 fushat që preken nga propozimi për ndryshime në Kodin Penal janë aktivitetet sportive, prishja e qetësisë publike, krimet mjedisore, shkeljet e të drejtave të autorit, ushtrimi i lojrave të fatit  dhe armëmbajtja pa leje. Masat ndëshkimore pothuajse janë dyfishuar, pikpyeja është a do të parandalohen pasi të miratohen?

Të gjitha këto ndryshime do ti nënshtrohen diskutimeve në komisionet parlamentare dhe në grupet e interesit për ti kaluar më pas kuvendit për miratim me votat e tre të katërtat e deputetëve./ABC News Albania 24/7