Nazarko: Në Kosovë po përçmohet Shqipëria. Thaçi duhet të udhëheqë negociatat, por duhet konsulencë ndërkombëtare

schedule21:50 - 3 Maj, 2019

schedule 21:50 - 3 Maj, 2019

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në “Provokacija” është shprehur se në Kosovë është duke u shfaqur një lloj egocentrizmi kolektiv, si pasojë e të cilit, Shqipëria, por jo vetëm ajo po shikohet  me përçmim. Këto deklarata ai i ka bërë duke komentuar retorikën e ashpër të përdorur nga liderët e dy shteteve, pas samitit të Berlinit.

Mjerisht në Kosovë, si pasojë e izolimit të shoqërisë, e ngadalësimit të integrimit ndërkombëtar, e mungesës së eksperiencës shtetformuese, e ndikimit të faktorëve të tretë, është shfaqur një lloj egocentrizmi i cili bën që bartësit e saj në elitën politike, ekonomike, mediatike ta shohin Kosovën si qendër e botës, i cili bën që ata të shohin me njëlloj përçmimi mirëbërësit e vet, Perëndimin në përgjithësi, shtete të caktuara në veçanti dhe aq më shumë Shqipërinë. Nuk e kam për emra të përveçëm, por për një spektër të gjerë politikbërësish, opinionbërësish, mjerisht, të cilët nëpërmjet mediave formësojnë bindje kolektive.Sot Kosova gjendet në një moment të dobësisë së vet ndërkombëtare. Serbia nëpërmjet fuqisë së vet ekonomike, lidhjeve të saj synoi tërheqjen e njohjeve të shteteve të Kosovës.

Në këtë kontekst Haradinaj me vendosjen e taksës bëri një lëvizje që e forcoi pozitën negociale të Kosovës në bisedime. E imponoi veten e vet në tryezë dhe as që mund të mendohej që ai mund të ishte në krah të Thaçit. Sigurisht mund të negociojë ndonjë gjë edhe për veten e vet. Ashtu sikundër edhe zoti Thaçi mund ta bëjë. Por problemi nuk është ky, problemi është retorika anti-perëndimore në Kosovë dhe retorika anti-Shqipëri”.Problem është dhe fakti që zoti Thaçi sot nuk mund të sulmohet, por  duhet të ndihmohet me një ekip konsulent ndërkombëtar. Ndërkohë politika në Kosovë duhet të konvergjojë rreth një emëruesi minimal të përbashkët në lartësinë e detyrës historike- një Marrëveshje sa më të mirë për Kosovën, sepse koha e saj është absolutisht tani. Si kurrë më parë SHBA-të dhe fuqitë e mëdha perëndimore janë bashkë për Kosovën”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!