Shoqatat e sipërmarrësve që merren me prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore, kërkojnë denoncimin me fakte edhe emra të atyre që mashtrojnë me cilësinë e ushqimeve. Denoncimi pa adresa, sipas tyre, dëmton më shumë konsumatorin, prodhuesin e ndershëm por edhe produktin shqiptar në tërësi.
Denoncimet e shumta publike për mungesën e sigurisë ushqimore, kanë ngritur alarmin e institucioneve dhe shoqatave sipërmarrëse. Unioni i prodhuesve shqiptar vlerëson denoncimet si përpjekje për të luftuar mashtrimin, por thekon se mos identifikimi me emër i kompanive qe mashtrojnë, dëmton edhe më shumë konsumatorin, por edhe biznesin e ndershëm.
Sokol Kraja, presidenti i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar: “ Flasim për domate të dëmshme, pije energjike të dëmshme, ndryshime skadencash dhe nuk flasim me emra konkret, kjo ka çorientuar konsumatorin pasi nuk di çfarë të zgjedhë në treg për të blerë. Kjo po dëmton edhe imazhin e atyre kompanive serioze dhe sigurisht markën e prodhimit në tregun e huaj”.
Për kreu e Dhomës së Tregtisë Nikolin Jakaj, ndonëse jemi një vend që eksportojmë prodhime bujqësore drejt rajonit dhe Evropës, kjo situatë po ndikon deri edhe tek procesi i integrimit te vendit, që është sa politik aq edhe ekonomik.
Për këtë arsye prodhuesit shqiptar gjendur përballë sit e rrezikimit të jetës se konsumatorëve, ashtu dhe konkurrencës se pandershme, por edhe dëmtimit te imazhit te prodhimit vendas, kërkojnë ndërhyrje nga institucionet e shtetit.
Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit: “Ne nuk kemi emra dhe prova kokretë, nëse kemi këto do kërkojmë që institucionet të veprojnë”.
Duke ngarkuar me përgjegjësi inspektoratet, prodhuesit shqiptar kërkojnë investime konkrete në laboratorë dhe një angazhim maksimal që produktet të mos dalin në treg pa kontrolle.
Qeveria po përgatit sanksione më të forta ligjore për ata qe mashtrojnë me produktet ushqimore.
Ndryshimet ligjore për sa u përket futjes së kimikateve në produktet bujqësore, tregtimi i produkteve jashtë skadence apo falsifikimi i tyre, do të diskutohen tashmë në komisionet parlamentare përgjegjëse./ABC News Albania 24/7