Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviç kanë mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abazoviç ka publikuar edhe pamjet nga Borodjanka, ndërsa shkruan se bashkë me Ramën janë dëshmitarë të të ferrit të shkatërrimit të luftës.
“Menjëherë pas mbërritjes vizituam Borodianka, një qytet që u shkatërrua në fillim të pushtimit. Ne jemi dëshmitarë të ferrit të shkatërrimit të luftës. Së bashku me Edi Ramën ne lutemi për paqe dhe qëndrojmë të vendosur me qytetarët e Ukrainës”, shkruan Abazoviç në Twitter.
Odmah nakon dolaska posjetili smo #Borodianka, grad koji je razoren na početku invazije. Svjedočimo paklu ratnog razaranja. Zajedno sa @ediramaal molimo se za mir i stojimo čvrsto uz građane #Ukraine??. pic.twitter.com/Y5fIlrmCuo
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) June 15, 2022
Vizita e tyre atje vjen pas ftesës që ua ka bërë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar më 12 qershor se kreu i saj, Abazoviç , ka pranuar ftesën e Zelenskyt.
Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.
Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë. /abcnews.al/