Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD. Kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj ka theksuar se të gjithë deputetët kanë rënë dakord që në qendër të reformës duhet të jetë individi.
“Patëm një diskutim në lidhje me Reformën Territoriale. Synimi ynë, përcjellja e sensibilitetit te qytetarët. Synim kemi një reformë territoriale që të jetë në qendër individi. Të gjithë ramë dakord që kjo reformë është një dështim”, tha Alibeaj në përfundim të mbledhjes.
“Mbledhjet me deputetët janë me dyer të hapura, sot një pjesë e tyre ishin online. Kjo Reformë është e dështuar, fokusi kryesor është që shërbimi të jetë afër qytetarit. Pushteti është larguar nga qytetari, Reformën Territoriale e kërkojnë shqiptarët“, shtoi ai.
Alibeaj po ashtu ka thënë se ekspertiza duhet të jetë pjesë e reformës territoriale.
Pyetje: Ju jeni për ulje të numrit të bashkive, keni ju një propozim?
Alibeaj: Është e udhës serioziteti i një veprimtarie politike, i një procesi, e kërkon që të ecet me hapat e kujdesshëm atë çfarë njerëzit duan. Kjo reformë me këtë numër është e dështuar. Por për ne e rëndësishme është që qytetari të jetë në qendër dhe shërbimi të jetë në qendër, të respektohen kriteret ekonomike, kulturore dhe historik T’ia lëmë hap pas hapi komisionit dhe ekspertizës. Ka një afat, të përcaktuar në vendimin e Komisionit të miratuar disa muaj me parë.
Gjatë mbledhjes Alibeaj, ka kërkuar që muaji qershor të shërbejë si një periudhë për evidentimin e problematikave që lidhen me Reformën Territoriale. Në fund të korrikut sipas Alibeajt duhet të dilet me një propozim konkret mbi hartën territoriale.
Deputeti Ferdinand Xhaferaj ka theksuar se gjatë takimeve me qytetarët ka një dakordësi për rritjen e numrit të bashkive. Gjatë mbledhjes Xhaferaj ka shtuar se krahas interesit qytetar, opozita duhet të fokusohet edhe në interesin elektoral për sa i përket reformës territoriale.
“Mendoj që komisioni ka një kompozim shumë të mirë duke filluar nga Dhurata që ka një artikulim të mirë. Ne duhet të kemi disa opsione. Dhe krahas interesit qytetar që është primar, sigurisht duhet të mbajmë në konsideratë edhe interesin elektoral. Nga të gjitha takimet që kemi pasur me qytetare, ka një dakordësi për rritjen e numrit të bashkive”, tha Xhaferaj mes të tjerash.
Lexo edhe: Alibeaj mbledh grupin, kush janë deputetët e PD që marrin pjesë
Edhe deputetja Dhurata Çupi është shprehur se faza e parë duhet të jetë komunikimi me opinionin publik mbi realitetin e reformës aktuale. Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se anëtarët e komisionit që përfaqësojnë PD-në, kanë miratuar dy ekspertë që do i bashkangjiten punës për reformën territoriale.
“Ne duhet të komunikojmë me qytetaret mbi atë çka ka ndodhur deri sot me reformën. Ne dje jemi mbledhur me anetarët e komisionit që përfaqësojnë PD. Miratuam dy ekspertë që do na bashkëngjiten. Faza e parë duhet të jetë komunikimi me opinionin publik. Sot ka një reformë të dështuar sa i takon atyre ccfarë u premtua në 2014. Një reformë që premtoi shumë por sot jemi para realitetit që reforma ka dështuar“, ka shtuar ajo.
DEPUTETËT QË MARRIN PJESË NË MBLEDHJE
1: Kastriot Piroli
2: Flamur Hoxha
3: Emilja Koliqi
4: Andja Ulliri
5: Dhurata Çupi
6: Saimir Korreshi
7: Gazment Bardhi
8: Eralda Tase Bano
9: Zheni Gjergji
10: Ferdinant Xhaferri
11: Enkelejd Alibeaj
12: Arbi Agalliu
13: Bledjon Nallbati
14: Lefter Geshtenja
15. Orjola Pampuri
16. Xhelal Mziu
/abcnews.al