Si u prit 1 Maji në Tiranë

schedule16:30 - 1 Maj, 2019

schedule 16:30 - 1 Maj, 2019

1 Maji në Tiranë është pritur me protesta. Arsimtarët, minatorët dhe shoqëria civile në të njejtën orë dolën në sheshet e kryeqytetit për t’i kërkuar qeverisë të mbajë premtimet e bëra dhe t’u garantojë më shumë të drejta.

Gjithçka i japin shoqërisë kanë zgjedhur ta thonë me një pankartë. Mësues nga i gjithë vendi janë bërë bashkë këtë 1 Maji para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ata protestojnë për premtimet e pambajtura, ndërsa shprehen se kërkojnë atë që ju takon.

“U premtua që shtesa do jetë 40% në këtë periudhë të qeverisjes. Asgjë! U vendos që vjet që do ishte 5% shtesa. Asgjë! Sindikata dhe qeveria kanë të drejtë të negociojnë dhe diskutojnë vetëm mbi masën e shpërblimit. Asgjë. Këto janë fonde të planifikuara. Ku janë? Ku kanë shkuar”, tha Artan Nuriu, mësues gjeografie.

“Unë në 2014 kam dhënë dorëheqjen si drejtoreshë kopshti gjasme po hapen konkurrimet. Absolutisht nuk u hapën konkurrimet dhe unë u zëvendësova nga një njeri pa arsimin përkatës në një kohë kur kam mbaruar të mesme e të lartë për parashkollorë, menaxhim arsimi dhe një master tjetër në psikologji”, tha Shpresa Fasllia, edukatore.

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë reagoi përmes një njoftimi për shtyp ku thotë se rritja e përvitshme e pagave do të reflektohet në pagën e muajit Prill. Sa i përket buxhetit, kontratave kolektive të punës dhe nismave të reja që ndërmerr, nënvizon se është në dialog të vazhdueshëm me sindikatat.

Në të njëjtën orë në një tjetër shesh, atë përpara Kryeministrisë protestonin minatorët. Ata përsërisin kërkesën e kahershme për miratimin e statusit. Ndërsa tregojnë kushtet e vështira ku jetojnë e problemet shëndetësore që për shkak të punës nëntokë po kalojnë thonë se kryeministri duhet të veprojë sa për ta nuk është vonë.

Ndërkohë në emër të të gjithë punëtorëve përpara Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë protestonte shoqëria civile.

“Sot kemi aksidente pa fund, kemi viktima në vendet e punës. Kemi pagë minimale që është më e ulëta në rajon. Kemi paga që me vite nuk indeksohen dhe nuk rriten”, Renato Muçaj, kryetar i sindikatës se Post Telekomit.

I tillë ishte 1 Maji i këtij viti në Tiranë./ABC News Albania 24/7