Marrëveshje Shqipëri-Kanada për njohjen e sigurimeve shoqërore

schedule13:42 - 1 Maj, 2019

schedule 13:42 - 1 Maj, 2019

Shqipëria dhe Kanadaja kanë nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore për efekt pensioni. Sipas ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 60 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në Kanada.

Për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Kanada, Ministria e Ekonomisë dhe Financave jep lajmin e mire për njohjen e kontributeve te sigurimeve shoqërore për efekt pensioni. Ministrja Denaj deklaroi se është firmosur në Kanada marrëveshja dypalëshe që u shërben 60 mijë shtetasve shqiptarë.

“Është firmosur në Kanada një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Financave për njohjen e pensioneve të të gjithë shqiptarëve në Kanada. Janë 60 mijë shqiptarë që përfitojnë nga kjo marrëveshje dypalëshe”, tha ajo.

Kanadaja bëhet vendi i tetë ku shqiptarëve që kanë shtetësi në këtë vend, u njihen si vjetërsi për efekt pensioni pleqërie, vitet që kanë punuar të siguruar në Shqipëri. Që nga viti 2015 Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të tilla me Turqinë, Gjermaninë, Hungarinë, Rumaninë, Maqedoninë, Luksemburgun dhe Belgjikën. Aktualisht qeveria shqiptare është në negociata dhe me 4 vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë shtetasit shqiptarë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!