Dëshmia tronditëse në Kongresin amerikan e viktimës së dhunës serbe 

schedule10:29 - 1 Maj, 2019

schedule 10:29 - 1 Maj, 2019

Ka qenë tronditëse dëshmia në Kongresin amerikan e Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka rrëfyer se si është përdhunuar nga ushtarë serbë në kohën e luftës kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa minuta në sallën e Kongresit mbizotëroi heshtja e plotë.

Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Uashington zhvilloi një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë.”

Seanca u drejtua nga kryetari i Komisionit, Eliot Engel.

Gjatë kësaj seance fjalën e mori dhe Ilir Bytyqi, i cili tregoi se si ushtarët serbë i kishin vrarë tre vëllezërit në kohën e luftës. Ndërkohë ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga kërkoi drejtësi për më shumë se 20 mijë gra të dhunuara në kohën e luftës nga forcat serbe.

Tronditëse ishte dhe dëshmia e Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës.

Engel në hapjen e seancës u shpreh se pas 20 vjetësh, për viktimat e luftës në Kosovë ka patur shumë pak në mos aspak drejtësi. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë duhet të kishin ushtruar më shumë trysni, por përgjithësisht dështuan.

Është hera e parë që në Kongresin amerikan zhvillohet një dëshmi me pjesëmarrje të gjerë për të kërkuar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, tregoi me tone emocionale hollësitë e dhimbshme të dhunimit të saj nga forcat serbe kur ishte 16 vjeç. Ajo tha se edhe pse sot jeton në Teksas me dy fëmijët e saj, nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia. Kongresmeni Engel tha se nuk ka qenë e lehtë për zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman të dilte në publik me historinë e saj të dhimbshme.

Ndëkohë Jahjaga u shpreh se duke dhunuar brutalisht trupat e grave, ushtria serbe, policia dhe forcat paramilitare sulmonin burrat që nuk mund t’i vrisnin dhe torturonin dot drejtpërsëdrejti. Përmes përdhunimit, ata synonin të përulnin burra shqiptarë të Kosovës për t’i paraqitur si të dobët dhe të paaftë për të “mbrojtur” gratë e tyre.

Ish-presidentja e Kosovës bëri thirrje që SHBA të ndihmojnë në mënyrë që të gjithë ata që kanë kryer krime të tilla lufte të nxirren përpara drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi./ABC News Albania 24/7