Milo: I bindur që Meta do ulë palët në tavolinë

schedule20:17 - 30 Prill, 2019

schedule 20:17 - 30 Prill, 2019

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo është shprehur se Presidenti Ilir Meta mund të ulë palët në tavolinë, me qëllim për të dalë kriza politike. Sipas tij, deklarata e bërë sot nga Presidenca ka lënë të hapur mundësinë që Meta të ketë rolin e ndërmjetësit në zgjidhjen e krizës.

“Unë kam qenë i bindur dhe e kam shprehur që Presidenti i Republikës në kushte aktuale mbështetur edhe në Kushtetutë i takon të marri rolin e ndërmjetësit. Me sa kuptova unë pas takimit që ka bërë me përfaqësuesit e pesë partive opozitare, në deklaratën e Presidencës është dhënë qartë të kuptohet se Presidenti po e mendon ndërmarrjen e një roli të tillë duke thënë se do të konsultohet me të gjitha forcat politike, pra nuk përjashton këtu konsultimin edhe me PD edhe PS dhe LSI me qëllim, organizimin e një tryeze ku aktorët kryesorë politikë të mëzhorancës dhe të opozitës të mund të ulen dhe të gjejnë kompromisin e duhur. Unë mendoj se Presidenti nuk do shkojë me një formulë në xhep që t’ua diktojë partive politike të thirrura në një tryezë të mundshme. Mendoj se Presidenti do të dëgjojë palët dhe do të ofrojë qëndrimet e tyre në një emërues të përbashkët”, tha Milo.

Me tej kërkesën e opozitës për largimin e Ramës, Milo e shikon si një hap ekstrem dhe të pamundur.

“Rama është kryeministër që është zgjedhur nga partia e tij dhe kur do iki Rama vështirë se mund t’ia imponojë opozita. Rama do iki sikundër ka deklaruar edhe vetë atëherë kur ta mendojë ai të arsyeshme se duhet ikur. Por që t’i imponohet kryeministrit të një vendin dhe kryetarit të një forcë politike kusht absolut që largimi i tij mund të hapë rrugën e zgjidhej së krizës, mua më duket kjo në kërkesë tejet ekstreme”./abcnews.al