Edison Pula, 27 vjeçari i arratisur nga burgu i Trevisos në Itali mëngjesin e së enjtes vijon betejën me drejtësinë edhe në vendin tonë. I riu, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs për prishjen e dënimit me 9 vite burg për akuzat e “vjedhjes” “vjedhjes me dhunë” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Pula është dënuar me vendim të formës së prerë, në mungesë nga Gjykata e Apelit Tiranë më 22 tetor të vitit 2018, për 3 vepra penale. Ndërkohë që Gjykata e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e shkatërrimit të pronës, mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve si dhe vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.
Lexo edhe: Detaje të reja nga arratisja e 27-vjeçarit shqiptar, një makinë e priste Edison Pulën jashtë burgut
Mësohet se autoritetet tona kishin kërkuar edhe ekstradimin e këtij shtetasi. Pula nuk e ka për here të parë arratisjen nga burgu. Në vitin 2016 ai u arrestua me 8 persona te tjerë në sajë të operacionit të koduar “Shenjestra” si i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal ne fushën e krimeve kundër personit.
Në atë kohë, Edison Pula ka mundur të arratiset, në momentin që po transferohej nga Komisariati i Policisë për në burg. I arratisuri nga komisariati i Krujës, Edison Pula, dhunoi dy policët që e shoqëruan gjatë transferimit nga stacioni i policisë së Fushë Krujës, në komisariatin e Krujës. Pula, në atë kohë vetëm 21-vjeç, mundi tu ikte punonjësve të policisë dhe kapërceu murin rrethues të komisariatit të Krujës./abcnews.al/