Shfaqet pas 5 vjetësh lideri i Shtetit Islamik

schedule22:51 - 29 Prill, 2019

schedule 22:51 - 29 Prill, 2019

Është shfaqur pas 5 vjet mungesë lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakër al Bagdadi. Në një video të transmetuar në rrjetin informativ të ISIS, kreu i grupit terrorist bën thirrje për hakmarrje për territoret e humbura.

Personi që dyshohet të jetë lideri i Shtetit Islamik ka bërë një shfaqje të rrallë në një video, ku betohet se do të kërkojë hakmarrje për humbjen e territorit. Abu Bakër Al Bagdadi nuk shfaqej që prejj vitit 2014, kur nga qyteti i Mosulit shpalli krijimin e Kalifatit në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut. Në videon e re, ai pranon disfatën në Baguz, bastioni i fundit i grupit terrorist në rajon. Ende nuk është e qartë se kur është regjistruar videoja, por ISIS bën me dije se ajo është realizuar në prill. Pamjet janë postuar në rrjetin mediatik të organizatës, Al Furkan.

Përveç se pranon rënien në Baguz, Al Bagdadi flet gjithashtu për të dielën e Pashkës në Sri Lanka, si dhe zotohet për forcimin e aleancave me milicitë në Mali dhe vende të tjera afrikane. Megjithatë, imazhi i liderit të ISIS zhduket nga fundi i videos dhe një material audio për sulmet në Sri Lanka luhet përgjatë materialit të mbetur me ekran të bardhë, gjë që sipas ekspertëve tregon se kjo pjesë është regjistruar pas videos kryesore. Në materialin filmik, Al Bagdadi flet edhe për protestat në Sudan dhe Algjeri, duke thënë se xhihadi është e vetmja zgjidhje ndaj tiranëve. Në të dyja vendet liderët afatgjatë u rrëzuan nga pushteti këtë muaj./abcnews.al