“Pse s’e jepni Ministrinë e Kulturës me koncesion?” Margariti-Zhupës për Butrintin: Parku i mbetet shtetit, ju kanë mbaruar kauzat

schedule10:57 - 9 Qershor, 2022

schedule 10:57 - 9 Qershor, 2022

Në seancën e sotme plenare, deputetja demokrate Ina Zhupa ka zhvilluar një Interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti për çështjen e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Në fjalën e saj deputetja ngriti pyetjen sesi ka mundësi që shteti shqiptar ka hequr dorë nga mbrojtja e një vepre me vlera të paçmueshme siç është Butrinti dhe “t’ia dorëzojë atë privatit.”

Ndërsa solli në vëmendje faktin se është thënë se menaxhimi i Butrintit ka dështuar nga administrata politike dhe e paaftë, Zhupa ngriti pyetjen se përse nuk vendosen kritere e ndryshohen procedurat, për të vendosur profesionistë për menaxhimin e parkut.

“Pse nuk vendosen kritere dhe nuk ndryshojnë procedurat duke vendosur profesionistë në krye të administratës që mund të ofrojnë një administrim cilësor për Butrintin.  Sa për administratë politike dhe të paaftë, atëherë të japim me koncesion Ministrinë e Kulturës dhe të na e administrojë fonacioni shqiptaro-amerikan. Që mesa duket është më i aftë se vetë shteti për të administruar perlën e trashëgimisë kulturore.”

Po ashtu deputetja demokrate theksoi se Këshillit Kombëtar të Kulturës Materiale i janë hequr kompetencat dhe ato i “kanë kaluar fondacionit privat.”

Ndërsa, ministrja e Kulturës Elva Margariti theksoi edhe një herë që Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit dhe se nuk po i jepet asnjë privati.

“Mendoj që është ende për të ndezur ca llambushka të një publiciteti shterpë. Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk po i jepet asnjë privati. Do të jetë bashkëpunim me fondin. Ky fondacion dhe ai shqiptaro amerikan për zhvillim, do të monitorohet dhe do të auditohet. Nuk ka tjetërsim apo kalim prone. Në krye është bordi, dy nga ministria e Kulturës, dy nga partneri strategjik, dhe një arkeolog i huaj. Çdo qindarkë e Butrintit do të vijojë të mbetet në Butrint. Ata që shohin ëndrra me kulla e hotele, nuk do të ketë asnjë lloj ndërtimi i tillë. Do të ketë një qendër pritje për vizitorët, larg nga hyrja aktuale…” /abcnews.al/