“Nuk e caktojnë partitë politike datën e zgjedhjeve por kushtetuta.” Kështu i përgjigjet kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla propozimit të aleatëve të Partisë Demokratike për shtyrje të zgjedhjeve, sipas të cilit askush nuk mund t’i vërë kushte Partisë Socialiste.
Nuk do të ketë ndryshim të datës së zgjedhjeve. Është kjo përgjigja që i jep propozimeve të aleatëve të Partisë Demokratike Kryetari i grupit parlamentar socialist.
“Duhet të jetë shumë e qartë për këdo që data e zgjedhjeve nuk caktohet nga partitë politike por caktohet nga Kushtetuta, nga Kodi Zgjedhor dhe datat e zgjedhjeve në 30 qershor është një datë e fiksuar tashmë dhe në asnjë rast ajo nuk mund të ndryshojë”, tha Balla.
Nga një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Pogradec, Taulant Balla nuk pranon asnjë kusht në emër të Partisë Socialiste.
“Dua t’u them shumë qartë që kushte PS nuk mund ti vendosë askush sepse nuk mund ti vendosë kushte Shqiptarëve.
Kushte që pengojnë implementimin e reformës në drejtësi, kushte të cilat tentojnë të ndërpresin mandatin legjitim, kuvendin apo të qeverisë nuk merren në konsideratë”, theksoi ai.
Gatishmërinë për të dialoguar socialistët e kanë për reformën zgjedhore duke u shprehur të hapur edhe ndaj ndryshimeve.
“Më në fund në kuvendin e Shqipërisë, përmes një procesi dialogu rikthyem në mbarëvajtje komisionin e reformës zgjedhore, që ështe një instrument i rëndësishëm për të dialoguar lidhur me të gjitha domosdoshmëritë dhe nevojat që ka adresimi i paketës së ndryshimeve të kodit zgjedhor, për adresimin e rekomandimeve të OSBE, që lidhen me infrastrukturën e procesit zgjedhor. Kemi hapur mundësitë e hulmutimit për të studiuar ndryshime të sistemit zgjedhor”, bëri me dije Balla.
Dialogu që kërkojnë socialistët nuk duhet të rrezikojnë kushtetutën, reformën në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë.
“Halli i Lulit, Saliut dhe i Monës kundër reformës së drejtësisë nuk e pengon rrugën evropiane të Shqipërisë”, përmbylli Balla./abcnews.al