Asnjëri nga trajnerët nuk ishte i kënaqur pas barazimit mes Partizanit e Laçit. Skënder Gega kritikoi lojtarët e tij për fillimin e keq të ndeshjes, ndërsa Sulejman Starova priste që skuadra të merrte fitoren
Për Superligën shqiptare ishte ndeshje e mirë dhe e fortë. Të paktën, për atë që u pa në fushën e lojës, por përfundimi I saj nuk kënaqi asnjë nga trajnerët, qoftë të Partizanit, apo edhe të Laçit.
Skënder Gega natyrisht pretendonte fitore për një duel në shtëpi, dhe që do ta afronte edhe më shumë me titullin kampion. Ai pranon diçka që nuk shkoi.
“Nuk ishim përgatit. E kishim menduar ndryshe sepse e mendonim që do i mbanim në presion. Minutat e para u zumë në befasi sepse në qendër ndoshta gabuam”, tha Gega.
A mund të thuhet se barazimi ia trondit pak pozitat Partizanit?
“Nuk mund të them asgjë. Kemi dhe pesë ndeshje të tjera siç është një javë nuk është një tjetër. Ky ishte një hap që mbrapsht, që nuk duhej. Do shikojmë me optimizëm”, tha Gega.
Në stolin kundërshtar ishte një partizanas i shquar, Sulejman Starova.
Tashmë, trajner i Laçit, as ai nuk ishte i kënaqur.
“Kishim një objektiv për kupat e Europës dhe vazhdojmë ta kemi. Ndeshje shumë të fortë me skuadrën që udhëheq me meritë. Le të themi që jam i kënaqur vetëm me lojën, por të jesh kaq afër fitores, sigurisht është pak e hidhur”, tha Starova.
Çfarë mendon për Partizanin, trajneri që e shpalli për herë të fundit kampion në 1993?
“Ka qenë skuadra më e kujdesshme nga të gjitha të tjera. Këtu e ka bërë diferencën. Nuk është se ka qenë ndonjë klas shumë i madh. Partizani ka qenë skuadra më e mirë në aspektin difensiv, kundërsulmin e shpejtë dhe ka çaluar në sulmin gradual. E them me bindje që Partizani do dalë kampion”, tha Starova.