Zjarri në Sazan, “Mbrojtja”: FA ka helikopterë në gatishmëri

schedule12:50 - 6 Qershor, 2022

schedule 12:50 - 6 Qershor, 2022

Në një sqarim në lidhje me pikëpyetjet e ngritura se përse nuk ndërhyhet nga ajri për të shuar zjarret në Sazan, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se FA-të disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.

Ministria bën me dije se disa prej tyre helikopterëve kanë kaluar procesin e mirëmbajtjes dhe ndodhen në Shqipëri, por nuk sqarohet se përse nuk janë duke u përdorur ende për shuarjen e flakëve.

“Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret. FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave. Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt.

Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh.

Ndërsa një pjesë e helikopterëve Cugar të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit të NATO (NSPA) ndodhen në Shqipëri.
Ndërkohë për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERCC) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë”, thotë ministria.

“Edhe vendet fqinje përdorin këtë mekanizëm për të përballuar nevojat e tyre ne raste emergjencash. Siç e kemi thënë edhe më parë kapacitetet tona të brendshme janë të limituara. Ndërkohë edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme. Në vëmendje të medias kujtojmë se tabela e organizimit dhe pajisje të FA, numrave dhe dokumenteve që lidhen me të konsiderohet informacion i klasifikuar konfidencial”, njofton më tej “Mbrojtja”.

Beteja me zjarret në ishullin e Sazanit vijon edhe sot. Disa vatra janë ende aktive pavarësisht punës së të forcave operacionale në terren. Puna po bëhet vetëm nga toka me mjete rrethanore, ndërsa nga ajri nuk ka as një ndërhyrje. Burime për abc thanë se në zonë janë dëgjuar shpërthime, që dyshohet të jenë municione të vjetra. Por për Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile Haki Çako, helikopteri për të montuar nga ajri, u gjet. Ka qenë ministri Niko Peleshi i cili ka postuar në facebook inspektimin e Çakos. Përballë kritikave të opinionit publik për mos ndërhyrje nga ajri, Peleshi thotë se forcat e ushtrisë po krijojnë breza të shpyllëzuara rreth vatrave të zjarrit

Jeta e forcave të emergjencës janë në rrezik edhe për shkak të municioneve të ndodhura në zonë. Burime nga zjarrfikëset e Vlorës i thanë Abc se pranë repartit ushtarak ka pasur dy shpërthime. Dhjetëra forcat të emergjencës janë vendosur në zonën ku ndodhen radarët për të mos lejuar përfshirjen nga flakët. Deri tani nuk ka të dhëna se sa hektarë sipërfaqe janë shkrumbuar. Dyshimet e para janë se zjarri është vendosur aksidentalisht nga turistët.

/abcnews.al