Lamtumira e Bujar Nishanit, sot ditë zie kombëtare

schedule07:37 - 2 Qershor, 2022

schedule 07:37 - 2 Qershor, 2022

Kjo e enjte është ditë zie kombëtare. Ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishanit do t’i jepet lamtumira e fundit. Ai ndërroi jetë të shtunën në një spital në Gjermani.

Trupi i pajetë i Bujar Nishanit mbërriti në Shqipëri mbrëmjen e së martës. Ditën e sotme ish-presidentit do t’i bëhen të gjitha nderimet në një ceremoni shtetërore.

Homazhe për Nishanin u kryen edhe një ditë më parë, teksa arkmorti me trupin e tij u vendos në sallën “Skënderbeu” të Presidencës, ku familjarët pritën ngushëllimet.

Homazhet zyrtare për Nishanin nisin sot gjithashtu në orën 10:00 në Presidencë, sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.

Pas orës 12.00 arkëmorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor shkon në këmbë deri të Ura e Lanës, pastaj niset drejt varrezave të Sharrës ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit. Në ceremoninë e varrimit pritet të ketë edhe fjalime lamtumire.

Sakaq, qeveria mori vendin që 2 qershori të jetë ditë zie kombëtare, ndërsa flamujt e institucioneve ulen në gjysmë shtizë.

Ish-presidenti u nda nga jeta të shtunën, pasi ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin, Gjermani. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post Covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Në karrierën e tij politikë ai njihej për gjuhën e kujdesur dhe maturinë. Bujar Nishani ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si deputet, ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar në selinë blu. Në vitin 2012, Nishani u zgjodh president. Ndërsa së fundmi ai ishte anëtar i Komisionit të Rithemelimit. g.v/abcnews.al