Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se do të bëjë thirrje për një takim në Bruksel në ditët në vijim me zyrtarë të lartë nga Suedia, Finlanda dhe Turqia për të diskutuar kundërshtimin e Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancën euroatalantike të NATO-s.
“Unë jam në kontakt të ngushtë me presidentin Erdogan të Turqisë dhe me liderët e Finlandës dhe Suedisë,” tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Uashington me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken.
Blinken tha se ka një “konsensus të fortë brenda NATO-s, gjerësisht, për të mbështetur pranimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në aleancë.
Suedia dhe Finlanda janë mbështetur në lëvizjen e tyre drejt anëtarësimit në NATO nga pothuajse të gjitha vende anëtare të Aleancës.
Vetëm Turqia ka shprehur rezerva.
Ankaraja akuzon të dy vendet se i kanë dhënë mbështetje Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një luftë të armatosur kundër qeverisë turke për dekada.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se Suedia dhe Finlanda duhet të ndalojnë mbështetjen e terroristëve në vendet e tyre, të ofrojnë garanci të qarta sigurie dhe të heqin ndalesat e eksporteve ndaj Turqisë.
/abcnews.al./