TIRANË- Partia Socialiste do të mbledh të premten në orën 17:00 Kryesinë. Kjo lëvizje në radhët e socialistëve vjen në kuadër të raundit të katërt për zgjedhjen e presidentit të ri. Gazetarja Erneta Shervroja raporton se tashmë janë socialistët që kanë në dorë zgjedhjen e presidentit dhe pritet që të dalin me emrin konkret.
Burime për ABC bëjnë të ditur se pas kryesisë do të ketë dhe një mbledhje të grupit parlamentar i Partisë Socialiste ku do të diskutohen emrat e më pas do të kalojë për votim. Ndërkohë të shtunën pritet të zhvillohet një seancë e posaçme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
RENDI I DITËS:
1. Informacion mbi mbledhjen e kandidaturave për kryetarët e partisë në 61 bashkitë e vendit dhe procesin e mëtejshëm;
2. Udhëzim mbi detyrat e të deleguarve në funksion të zbatimit të kalendarit politik të miratuar në Asamble;
3. Projektvendim për miratimin e nivelit të pagave të Sekretarëve Ekzekutiv në nivel Qarku dhe Sekretarëve Ekzekutivë të partisë në nivel bashkie. Projektvendim për miratimin e nivelit të pagave të strukturës organizative të aparatit qendror të Partisë Socialiste;
4. Ecuria e procedurave të zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe vendimmarrja e Partisë Socialiste;
5. Çështje të tjera jashtë rendit të ditës. Mbledhja do të zhvillohet ditën e premte, datë 03.06.2022, ora 17:00, në Selinë e Partisë Socialiste./Abcnews.al/