Escobar thirrje Serbisë që t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë: BE të ritheksojë politikën e dyerve të hapura

schedule15:37 - 30 Maj, 2022

schedule 15:37 - 30 Maj, 2022

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson se Serbia do t’i bashkohet shteteve të tjera të rajonit dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas formimit të Qeverisë së re.

“Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që Rusia të paguajë çmim për këtë [pushtimin e Ukrainës] përmes sanksioneve, duke mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj. Shpresoj që Serbia do t’i bashkohet këtij grupi dhe do të harmonizojë sanksionet kur të formohet Qeveria”, tha Escobar më 30 maj, gjatë një adresimi në Samitin e Demokracisë së Evropës Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi dhe që ka temën: “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”.

Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht se ka votuar për rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe deklarata të Bashkimit Evropian që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Beogradi zyrtar arsyetohet se po mban një qëndrim të tillë për të “mbrojtur interesat jetike të vendit”.

Escobar po ashtu përshëndeti qëndrimin e BE-së dhe NATO-s, që riafirmuan “politikën e dyerve të hapura”.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që BE-ja të ritheksojë politikën e saj të dyerve të hapura. Dhe kjo politikë nuk vlen vetëm për Ukrainën dhe shtetet e tjera në rrezik, por gjithashtu na kujton se gjashtë vende të tjera janë më përpara Ukrainës”, theksoi Escobar.

Sipas të dërguarit të SHBA-së, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë “përparim të madh” dhe “reforma mbresëlënëse” duke shtuar se shpreson që Evropa të zbatojë ato që deklaron kur bëhet fjalë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Mali i Zi ka shumë të ngjarë që të jetë anëtari i ardhshëm i BE-së”, tha Escobar, duke shtuar se ai është i sigurt që kjo mund të ndodhë.

Escobar theksoi se është “shumë optimist për perspektivat e shteteve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen anëtare të plota të BE-së”, duke thënë se SHBA-ja vazhdon mbështetjen për këtë qëllim.

“Jam shumë entuziast për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor sepse kjo krizë na tregon se politika e SHBA-së: mbështetja, angazhimi dhe promovimi i Ballkanit Perëndimor, po jep rezultate”, tha Escobar.

Ai theksoi se sfida më e madhe për rrugën e shteteve të Ballkanit drejt integrimeve euroatlantike është korrupsioni, që sipas tij, është i rrënjosur thellë në vendet e rajonit që nga vitet ’90.

“Është një luftë dhe këto vende kanë nevojë për mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Malin e Zi dhe pjesën tjetër të rajonit”, u shpreh Escobar.

Escobar iu drejtua Samitit të Demorkacisë së Evropës Juglindore përmes video-lidhjes. Në këtë samit, marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkan Perëndimor, Stuart Peach./REL/