Kryebashkiaku Veliaj priti në një takim violinistin Olen Çezari dhe grupin e tij pas koncertit që dhanë në Tiranë. Veliaj e quajti artistin krenari për të gjithë shqiptarët.
Violinisti shqiptar me famë botërore Olen Çezari dhe grupi i tij “International Clandestine Orchestra” sollën për publikun kryeqytetas në një koncert në pallatin e Kongreseve, magjinë e tingujve të instrumenteve nga e gjithë bota.
Artistët dhe ekipi që bënë të mundur këtë spektakël, u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i falenderoi ata që zgjodhën edhe Tiranën si stacion të turit të tyre muzikor.
“Miku, vëllai ynë, Oleni solli një “minikombe të bashkuara” në Tiranë, çka në fakt përputhet me atë që është sot Tirana. Jam i lumtur jo vetëm për koncertin mbrëmë, por se aty pashë “tironsa” me origjinë nga Kina, nga Argjentina, nga Italia apo edhe nga shumë vende të tjera, kubanezë, të cilët u ndjenë jo vetëm pjesë e një qyteti kozmopolitan, por edhe ajo që pamë në skenë, falë talentit të Olenit, ishte një mozaik i “kombeve të bashkuara” të Tiranës”, tha ai.
Veliaj vlerësoi talentin e Olen Çezarit, duke e quajtur një nga emrat më përfaqësues dhe që bën të ndihet mirë çdo shqiptar në botë.
“Unë jam shumë krenar për ty dhe them se flas në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, që tek ty shohin realisht më të mirën tonë. Ne kemi nevojë për më shumë dashuri, për më shumë mirësi, kemi nevojë të jemi disi më të përulur me njëri-tjetrin, por kur e shohim të materializuar tek ty dhe skuadra jote, e shohim si një mision të mundur. Ne mund të jemi më të mirë dhe të falënderoj për të gjithë mirësinë dhe dashurinë që na solle në Tiranë”, tha kryebashkiaku i Tiranës./abcnews.al