Një degë e kishës ortodokse të Ukrainës ka ndërprerë lidhjet me patriarkun rus Kirill për shkak të mbështetjes që lideri shpirtëror rus ka për luftën në Ukrainë, duke thelluar një përçarje midis kishës së Moskës dhe besimtarëve të tjerë ortodoksë.
Udhëheqësit e Kishës Ortodokse të Ukrainës (UOC), e cila kishte qenë zyrtarisht në varësi të Patriarkanës së Moskës të Kishës Ortodokse Ruse, mbajtën një këshill të premten në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Në një deklaratë, këshilli tha se “dënon luftën si shkelje të urdhrit të Zotit.”
“Mos vrisni!” ishte thirrja e Këshillit, që i kërkoi qeverive të Ukrainës dhe Rusisë të ndjekin një rrugë negocimi.
Por këshilli gjithashtu pati kritika për Patriarkun Kirill, i cili ka dhënë mbështetjen e tij për pushtimin e Ukrainës.
Një pjesë e madhe e komunitetit ortodoks në Ukrainë tashmë ka lëvizur për të krijuar pavarësinë nga Moska. Kjo lëvizje mori një vrull të mëtejshëm në vitin 2018, pasi Patriarku Bartolomeu I i Kostandinopojës, një klerik grek që konsiderohet udhëheqësi shpirtëror i besimtarëve ortodoksë në mbarë botën, miratoi themelimin e një Kishe Ortodokse të pavarur të Ukrainës.
Kisha Ortodokse Ruse dhe Patriarkana e Moskës, e cila është lidhur ngushtë me shtetin rus nën sundimin e Putinit, u përgjigjën duke ndërprerë lidhjet me Bartolomeun, shkruan CNN.
Deklarata e këshillit të UOC të premten tha se lufta kishte qenë shkatërruese për anëtarët e kishës.
“Gjatë tre muajve të luftës, më shumë se 6 milionë qytetarë të Ukrainës u detyruan të largoheshin nga vendi. Këta ishin kryesisht ukrainas nga rajonet jugore, lindore dhe qendrore të Ukrainës. Shumica e tyre janë fëmijë besnikë të Ukrainës. Është e nevojshme të zhvillohet më tej misioni jashtë vendit midis ukrainasve ortodoksë për të ruajtur besimin, kulturën, gjuhën dhe identitetin e tyre ortodoks.”/abcnews.al/