Barcelona është vetëm një hap larg titullit, pas fitores ndaj Alaveshit në ligën spanjolle. Shpallet kampione nëse Atletiko humbet sonte me Valencian
Duhej fituar dhe u bë, ndërsa tani duhet pritur.
Barcelona, edhe pse disi me vështirësi, e bëri detyrën në ligën spanjolle në fushën e Alaveshit, duke qenë tani shumë pranë titullit.
Pas një pjese të parë me dominim absolut, me 81 për qind mbajtje të topit, por pa gola, katalanasit ia dolën pas pushimit.
Talenti I ri, Karles Alenja, shënoi një gol të shkëlqyer kolektiv dhe individual, dhe Luis Suarez vulosi shifrat 2-0 nga pika e bardhë e penalltisë.
Me këtë sukses në stadiumin e Vitorias, Barça arriti në 80 pikë në krye të renditjes, 12 pikë mbi Atletikon që pret sonte Valencian në “Uanda Metropolitano”.
Nëse skuadra e Simeones humbet, titulli vendoset zyrtarisht.
Për mediat në Katalonjë, çdo gjë është e mbaruar.
E përditshmja “Sport”: Sot mund të jenë kampionë! Barça nuk gaboi në Vitoria, dhe mund të fitojë titullin nëse Atletiko humb në shtëpi me Valencian!
“El Mundo Deportivo”: E prekin! Golat e Alenjës dhe Suarezit japin triumfin dhe e afrojnë Barcelonën në 3 pikë nga titulli I 8-të në 11 vjet!
Gazeta “Marka” në Madrid intrigon me dilemën e supozuar të katalanasve, ta fitojnë titullin në divan, apo në fundjavë në “Kamp Nou”.
“Nuk është fitore përfundimtare, por janë shumë të rëndësishme, – ishin fjalët e trajnerit Valverde, – është e qartë se ne jemi vetëm një fitore larg. Le të presim për të parë se çdo të bëjë Atletiko. Nuk ka rëndësi nëse e fitojmë në shtëpi duke parë televizor, apo të shtunën në “Kamp Nou”, rëndësi ka që ta fitojmë. Është shumë e vështirë të fitohet një titull”.
Valverde sqaroi se u detyrua ta aktivizonte Mesin pasi skuadra e tij nuk po arrinte të kalonte në avantazh, por për fat katalanasit e bënë pa pasur nevojën e lojtarit më të mirë të botës./abcnews.al