Trump viziton Mbretërinë e Bashkuar në Qershor

schedule18:56 - 23 Prill, 2019

schedule 18:56 - 23 Prill, 2019

Presidenti Donald Trump do të vizitojë Britaninë në qershor, me ftesë të mbretëreshës. Krahas aspektit ceremonial, vizita do të shërbejë si një shans për përforcimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Londrës.

Presidenti Donald Trump do të zhvillojë nga data 3 deri më 5 qershor një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar. Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump do të jenë të ftuarit e mbretëreshës dhe do të marrin pjesë në një ceremoni në Portsmuth për të shënuar 75-vjetorin e ditës së zbarkimit të aleatëve.

Gjithashtu, Trump do të zhvillojë bisedime zyrtare me kryeministren Theresa Mej në selinë e qeverisë britanike në DAUNING STRIT. Më parë Trump është takuar me mbretëreshën në Kështjellën Uindsor, kur vizitoi Britaninë e Madhe në korrik të vitit 2018.

Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije ndërkohë se vizita do të riafirmojë marrëdhëniet solide dhe të veçanta mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe kryeministrja Mej ka deklaruar se vizita e qershorit është një shans për të përforcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe në fusha si tregtia, investimet, siguria dhe mbrojtja, si dhe për të diskutuar ndërtimin e së ardhmes në bazë të këtyre lidhjeve.

Në përfundim të vizitës në Britani, Trump dhe bashkëshortja do të udhëtojnë për në Francë, ku do të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore të ngjashme më 6 qershor./abcnews.al