Raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit të Republikës është edhe shansi i fundit i opozitës, sipas marrëveshjes paraprake, ndonëse palët kanë kundërshtime. Në limitet e kohës për të dorëzuar një emër për kreun e ri të shtetit, vjen edhe lëvizja e radhës nga Enkelejd Alibejt.
Sot Alibeaj ka nisur edhe mbledhjen e grupit parlamentar. Afati i fundit për depozitimin e kandidaturave në Kryesinë e Kuvendit është data 29 maj, ora 16:00 ndërsa në Kuvend pritet të kalojnë për votim kandidaturat më 30 maj.
Kreu i grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj gjatë mbledhjes së zhvilluar sot në selinë blu ka sugjeruar që mos të marrin pjesë në raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit.
“Sugjeroj që s’ka asnjë arsye të marrim pjesë. Ata thyen marrëveshjen.’- tha Alibeaj.
Sakaq Gazment Bardhi ka kërkuar që PD të mos marrë pjesë në raundin e 3-të për presidentin, kjo sepse sipas tij Edi Rama kërkon ta zgjedhë vetë presidentin.
“Që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Opozita duhet të hynte në proces për ti rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual. Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për ti ofruar shqiptarëve një President konsensual. Shumica ra dakord publikisht për propozimin e procedurës së propozuar nga ne. Vetëm pas nisjes së procesit dhe propozimeve me emra kontaktet të grupit, Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja. Pas tërheqjes nga marrëveshja publike, unë mendoj që grupi ynë duhet ta konsiderojë të mbyllur këtë proces. Edi Rama prishi marrëveshjen me opozitën, sepse nuk don një president për shqiptarët. Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja, sepse e ka paracaktuar Presidentin. Prandaj unë mendoj që grupi duhet të dal me një deklaratë ku të sqarojë këtë pozicion dhe ne nuk duhet të vazhdojmë më me këtë pasi maska e fasadës së Edi Ramës ka rënë.”
Edhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka kërkuar që opozita të mos marrë pjesë në raundet e mbetura për presidentin.
“Grupi diskutoi dhe mbajti një qëndrim dinjitoz. Ne u qëndrojmë parimeve. Rama tregoi që edhe këtë herë nuk iu qëndron marrëveshjeve. Duhet t’i japim fund pjesëmarrjes në procesin e zgjedhjes presidentit”, tha Tabaku.
Kryetari i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj akuzoi socialistët se kërkon një president të vetin, dhe jo të gjitha forcave dhe neutral. Nga ana tjetër Taulant Balla i kërkoi të propozojë emra, pasi sipas marrëveshjes deri në raundin e tretë do të jetë opozita që propozon emra.
Megjithatë për sa i përket marrëveshjes që ishte arritur, të dy palët akuzojnë njëra tjetrën se janë tërhequr nga ajo, ndërsa Alibeaj u shfaq sërish mosbesues duke akuzuar socialistët se duan ta zgjedhin vetë.
Raundi i tretë do të mbahet më 30 maj, në orën 10 dhe është i fundit ku duhen të paktën 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në raundin e katërt, socialistët kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, pasi i kanë 71 votat që i duhen.
/abcnews.al/