Dritëhijet e periudhës së komunizmit në muzeun “Shtëpia me Gjethe”

schedule17:34 - 23 Maj, 2022

schedule 17:34 - 23 Maj, 2022

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe në 5 vite rezulton i vizituar nga 72 mijë persona. Çelo Hoxha thotë se Dritëhijet e periudhës së komunizmit duhet të jenë të pasqyruara në tekstet shkollore.

Muzetë janë një formë e rrëfimit të historisë

Referuar statistikave në këtë 5-vjecar, muzeu është parë nga afër nga 72 mijë vizitorë. Drejtorja e muzeut Etleva Demollari thotë se ka pasur një interes thuajse të balancuar mes të huajve dhe shqiptarëve.

“41 mijë vizitorë janë të huaj dhe 31 mijë janë shqiptarë. Nëse flasim me përqindje 57 janë të huaj 43 shqiptar. Ka një balancë thuajse mes të huajve dhe shqiptarëve.”

Historiani dhe drejtori i Institutit të Krimeve e Pasojave të Komunizmit Çelo Hoxha thotë se muzeu është i domosdoshëm për të dhënë një informacion të përgjithshëm. Njohja e brezit të ri me këtë periudhë është domosdoshmëri, ndaj Hoxha kërkon që kurrikulat shkollore të pasurohen  me informacion mbi krimet e komunizmit.

“Duhet të ngrihet e gjithë struktura informuese.  Edhe ky muzeu funksionon si të gjitha muzetë, njerëzit e vizitojnë marrin një mesazh. Këtu është një fragment i kësaj periudhe, pasi këtu nuk është historia e plotë e komunizmit. Shqetësuese është historia që përcjellim ne te brezi i ri, për komunizmin është e mangët, mungojnë informacione për krimet e pasojat e komunizmit.”

Por a ka ardhur koha që muzeu të pasurohet me informacione të tjera, pasi deklasifikimi i dosjeve, bën që të zbardhen dosje të kësaj periudhe?

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në vitin 2020 u nderua edhe me çmimin “Muzeu i Këshillit Evropian 2020″ mes 60 muzeve. /abcnews.al/