Policia: Kapëm kolegun të droguar në timon. Efektivi: Kam operuar hundën. Në test doli narkoza jo kanabisi

schedule14:48 - 22 Maj, 2022

schedule 14:48 - 22 Maj, 2022

Altin Bega punonjësi i policisë në Tiranë, u vu sot në pranga. 50 vjeçari u arrestua pasi kishte shkelur disa rregulla të qarkullimit gjatë drejtimit të mjetit tip “AUDI”.

Nga testi i shpejtë për prezencën e alkoolit dhe lëndëve narkotike ai ka rezultuar pozitiv në treguesit që i korrespondojnë prezencës së Cannabis Sattiva.

“Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë: – Inspektor A. B., 50 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist, Drejtoria e Përgjithshme të Policisë. Arrestimi i tij u krye për arsye se më datë 21.05.2022 është ndaluar nga Shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë pasi kishte shkelur disa rregulla të qarkullimit gjatë drejtimit të mjetit tip AUDI, të cilën e drejtonte pa leje drejtimi.

Nga testi i shpejtë për prezencën e alkoolit dhe lëndëve narkotike ai ka rezultuar pozitiv në treguesit që i korrespondojnë prezencës së Cannabis Sattiva dhe negativ në përqindjen 0.00 e alkoolit. Ky shtetas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë dhe në vijim, veprimet u kryen nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të AMP. Pas njoftimit verbal të Prokurorit të gatshëm, shtetasi A.B. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal”, njofton policia.

Ndërkohë ABC mëson se polici këmbëngul se nuk ka konsumuar asnjë substancë narkotike. Ai pretendon se ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në hundë dhe për shkak të narkozës, dyshon se testi i drogës ka dalë pozitiv, duke mohuar kështu konsumimin e lëndës narkotike. Si provë, efektivi i policisë ka paraqitur edhe dokumentet e spitalit.

Kjo nuk është hera e parë që pretendohet që testi i drogës të ketë rezultuar pozitiv për shkak të marrjes së medikamenteve të ndryshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!