Pushtetin deri në varr

schedule10:02 - 20 Maj, 2022

schedule 10:02 - 20 Maj, 2022

Nga Edi Oga

Konfigurimi i fundit i arenës politike, është një shfaqe tragji-komike! Nga njëra anë, një maxhorancë e sunduar totalisht nga një udhëheqës fuqiplotë, ‘taksirati’ më i madh i të cilit është të bindë shqiptarët se nuk është diktator, nga ana tjetër një opozitë ‘kashtë e koqe’, e cila lufton të bindë shqiptarët se e vetmja shpresë për ta janë ‘ustallarët’ e vjetër.

Në politikën e sotme, nuk ka asnjë ide të re. Të rinjtë me ide, me aftësi dhe me energji për të sjellë ndryshim dhe progres, ose kanë ikur nga Shqipëria, ose janë penguar që në nisje nga të vjetrit dhe janë dorëzuar. Ata që janë të rinj në moshë dhe militojnë në rangjet e larta të politikës, janë konfirmuar dhe janë po aq të vjetër sa të vjetrit. Ata jetojnë e punojnë me mendësinë e tyre, nuk munden dhe nuk u lejohet të sjellin ide të reja sepse dëbohen si qenër të zgjebosur.

Politikanët tanë duken të vendosur që vendin ta tërheqin paralelisht me fatin e tyre biologjik. Të mos shkëputen nga qerrja e pushtetit deri në ditën kur të përfundojnë në gropën e fatit të tyre njerëzor. Ta marrin me vete në varr. Në Sharrë apo në Tufinë. Vetëm këto dy alternativa kemi.

A do ta pranojmë këtë destin?