Bylykbashi i përgjigjet Alibeajt: Nuk ke asnjë tagër të hedhësh në tryezë kandidatë për Presidentin e Ri

schedule17:05 - 19 Maj, 2022

schedule 17:05 - 19 Maj, 2022

Deputeti Oerd Bylykbashi i është përgjigjur kreut të Grupit të PD Enkelejd Alibeaj.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bylykbashi thotë se Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët, të hedhë në tryezë emra kandidatësh për të legjitimuar procesin e Ramës.

Oerd Bylykbashi thotë se marrëveshja Alibeaj-Balla për çështjen e presidentit i mundëson Ramës qtë sigurojë 84 mandate për kandidatin e tij që ta shesë si kandidat konsensual.

Postimi i plotë

Ajo që mbetet është që marrëveshja e Alibeajt me Ballën i garanton Ramës legjitimimin e procesit të tij për kapjen e presidentit.

Marrëveshja i mundëson Ramës që në morinë e emrave të hedhur mbi tryezë, të fshehë emrin që ka planifikuar.

Marrëveshja që ka dakordësuar Alibeaj i mundëson Ramës që të sigurojë 84 mandate për kandidatin e tij që ta shesë si kandidat konsensual.

Marrëveshja i jep mundësi Ramës që të caktojë një opozitë hollesh përkundër opozitës së votës e me votat e tyre të caktojë presidentin e më tej, të ndryshojë sistemin zgjedhor, hartën e ndarjes territoriale, për të mbajtur pushtetin.

Alibeaj përpiqet të ndryshojë statutin e Partisë Demokratike duke anashkaluar Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar, dy organet më të larta përfaqësuese të PD.

Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët, të hedhë në tryezë emra kandidatësh për të legjitimuar procesin e Ramës.

Deputetët e Partisë Demokratike përfaqësojnë vullnetin e saj dhe nuk bëhen fasadë e kapjes së pushteteve prej Edi Ramës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!